Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se ditën e sotme së bashku me kryeministrin Albin Kurti do të kenë një takim me sekretarin e SHBA-ve, Antony Blinken.
Nëpërmjet një statusi në Facebook ajo është shprehur se do të marrin pjesë në ceremoninë e organizuar nga Kongresi i SHBA për nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për Programin Kompakt të Kosovës.
“Së bashku me kryeministrin Kurti, në këtë takim do të fokusohemi në thellimin e partneritetit strategjik me ShBA, duke adresuar sfidat me të cilat po ballafaqohet rajoni ynë, reformat që po i ndërmarrin institucionet tona si dhe fuqizimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës.”, ka shkruar Osmani.
Sipas njoftimit të mëhershëm të Qeverisë, programi do të përfshijë këto tri projekte:
1. Rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet 170 MW, që ofrojnë rezervë 340 MWh),
2. Zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe
3. Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim.
Nga ky financim 200 milionë dollarësh do të vijë në formë granti nga SHBA-ja përmes MCC-së, rreth 35 milionë dollarë do të jetë kontribut nga Qeveria e Kosovës, ndërsa 2 milionë do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD).