Forcat “Shqiponja” arrestuan një ish punonjës të Forcave Speciale të Policisë në Tiranë pasi mbante me vete në automjet një armë snajper. Ai është Remal Rada.
Kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Anglia. Ai u arrestua bashkë me Elton Hithin nga Laknasi, i dënuar më parë nga gjykata e Tiranës për “vjedhje me dhunë”.
Pas arrestimit, Rada tha se “çantën ku u gjet snajperi e mora nga një person, i cili i më tha se janë rroba sportive”, por nuk ia tregoi emrin.
Në vijim të operacionit “Double strike”, ka njoftuar se në banesën e Remel Radës, janë gjetur 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, targa shqiptare dhe të huaja, 4 thika, 13 pajisje fiksuese si ato të armëve, shenjestër optike, 15 aparate celulare, 2 radio si ato të Policisë dhe pajisje të tjera që përdoren nga Policia.
Njoftim
Gjatë kontrollit në këtë banesë, në zonën e quajtur “Selitë e Vjetër”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, 13 pajisje të ndryshme fiksuese dhe shtrënguese si ato të armëve, municion luftarak, këllëf pistolete, 2 radio Policie, një aparaturë valësh, dy elektrikë dore, njëri prej tyre me mbishkrimin “Policia”, 4 thika, targa shqiptare dhe të huaja, jelek multifunksional me mbishkrimin “RENEA”, shënjestër optike, 15 aparate celulare dhe sende të tjera.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.