Mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës është nënshkruar një marrëveshje në fushën e energjetikes.
Nënshkrimi i marrëveshjes përveç që është cilësuar si një arritje historike për Kosovën nga krerët institucional e njëjta është quajtur si një nga bashkëpunimet më të rëndësishme zhvillimore në mes të Kosovës dhe SHBA-ve.
Përmes kësaj marrëveshjeje Kosova do të fitojë një grant në vlerë prej 202 milionë dollarësh. Shuma totale e marrëveshjes kap shifrën e 236 milionë dollarëve, ku pjesën tjetër të kësaj shume do ta paguajë Qeveria e Kosovës.
Programi kompakt në kuadër të kësaj marrëveshjeje do të përfshijë tri projekte, bënë të ditur zyra e kryeministrit.
E para krijimi i rezervave dhe arbitrazh të energjisë prej 340 megavatëorë, e dyta zhvillimi i fuqisë punëtore, me theks të veçantë në përfshirjen e grave në sektor të energjisë si dhe Projektin e Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim, i cili ka për qëllim të nxisë financimin e sektorit privat nga Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) të Shteteve të Bashkuara në Kosovë.
Për Albin Kurti, kryeministrin e Kosovës, Programi Kompakt do të jetë gurthemeli i tranzicionit të gjelbër dhe do t’i kontribuojë sigurisë energjetike në vend.
Kurti, duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se kur do të fillojë zbatimi i marrëveshjes në fjalë, kishte deklaruar se sa më shpejtë që është e mundur.
“Sa më shpejtë që të mundemi do të ecim përpara, meqenëse kriza energjetike nuk do të shuhet”.