Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka zhvilluar sot një vizitë në Tiranë, ku u takua me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu, dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjenerallejtënant Arben Kingji.
Në takim ata diskutuan për angazhimin e vazhdueshëm të KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë. Gjithashtu diskutuan edhe për rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Gjenerali Barduani theksoi se KFOR-i mbetet i vendosur për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet. Ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe partneritetit të qëndrueshëm midis KFOR-it dhe Shqipërisë.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.”, thuhet në deklaratë.









