Shefi i Organizimit në PD, Klevis Balliu, ka deklaruar se emërimi i shefit të ri të Policisë Kriminale, Neritan Nallbatit është një tjetër skandal nga Policia e Shtetit.
Balliu e ka quajtur shefin e ri famëkeq dhe protektor i drogës, gjatë postit të tij si drejtor i Policisë së Elbasanit.
Balliu bën me dije se sipas raporteve mediatike, Nallbati ka vazhduar mbështetjen e tij kundër aktiviteteve të paligjshme në mënyrë të pandërprere edhe në kohën kur drejtonte Policinë e Durrësit.
“Partia Demokratike dënon vendimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë, i cili paraqitet në Tiranë si i preferuari i FBI-së amerikane”, vijon më tej Balliu.
Deklarata e Balliut
Neritan Nallbati emërohet drejtor i Policisë Kriminale, në institucionin me demek të reformuar të Gledis Nanos, edhe pse ai u largua në vitin 2003 si bashkëpunëtor i Hakmarrjes për Drejtësi.
Nallbati është famëkeq sidomos si protektor i “Rrugëve të kokainës”, gjatë kohës si drejtor i Policisë së qarkut Elbasan.
Aktiviteti i tij në mbështetje të narkotrafikut ndërkombëtar kulmoi me rastin “Xibraka”.
Sipas raporteve mediatike dhe konfidenciale, Neritan Nallbati e ka vazhduar pa ndërprerje rolin e mbështetësit të aktiviteteve të paligjshme dhe të infiltruarit të botës së krimit në Polici, edhe në kohën kur drejtonte Policinë e Durrësit.
Që prej tetorit 2021 në portin më të madh në vend ka patur një rritje eksponenciale të trafikut të drogës.
Emërimi i tij në krye të policisë kriminale është rasti i përsëritur i promovimit të korrupsionit në hierarkinë e lartë të Policisë së shtetit.
Është tregues se nuk është gara dhe ndershmëria që të ndihmon të bësh karrierë, por përfshirja në afera dhe korruptimi thelbësor.
Partia Demokratike dënon vendimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë, i cili paraqitet në Tiranë si i preferuari i FBI-së amerikane.
Një si Neritan Nallbati nuk do të pranohej as roje në oborrin e FBI, dhe jo më hierarki i lartë.
Absurde është që një të dyshuar dhe të shkarkuar për lidhje me krimin të emërosh në krye të luftës kundër krimit.
Ne dënojmë edhe kriminalizimin e uniformave blu, dhe në të njëjtën kohë theksojmë se trupa e policisë nuk është e korruptuar. Në të ka profesionistë të përkushtuar dhe atdhedashës të ndershëm.
Shefat e tyre, nën shembullin më të mirë të shefave politikë në parti, e kanë kthyer armën e policisë në një paradhomë partiake, ku u merret nderi edhe atyre edhe Shqipërisë.
Me policë si Neritan Nallbati në krye të punëve, Policia dhe Shqipëria janë në rrezik.