Ish-kryeministri Sali Berisha tha sot se personi me inicialet I.M. që gjendet te dosja e sigurimit të shtetit dhe që Autoriteti i Dosjeve tha se ishte ish-presidenti, “është Ilir Murati nga Librazhdi dhe personi që spiunoi është Filip Tole”. Por a është i vërtetë versioni që dha Sali Berisha? Ilir Meta nuk pranoi që të komentonte për të lakuar emra, por theksoi se për vete është i pastër.
“Unë mund t’ju them se është përgjegjësi e madhe e Autoritetit të manipulimit kriminal të dosjeve, që po përmenden emra në publik, që po qarkullojnë emra në publik që dikur kanë qenë 19 vjec dhe sot i kanë nga 20 vjeç fëmijët e tyre.
“Dosjet” duhet të kujdesen që të mos rilëndohen viktimat e asaj periudhe. Ilir Rexhep Metaj nuk ka qenë ndonjëherë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit. Për rastin konkret, Autoriteti e di se ajo ndodhet në dosjen e bashkëpunëtorit dhe të hetuarit. Ilir Metaj nuk ka jetuar ndonjëherë në konvikt” tha ai.
Ilir Meta tha se deputetët e forcës së përfaqëson do të votojë në Kuvend nismat, që ka ndërmarrë PS dhe PD për transparencën mbi dosjet e sigurimit.
“Jam i sigurt që qëndrimi edhe i deputetëve të Partisë së Lirisë ka qenë dhe do të jetë transparencë e plotë për cilindo, që ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, i favorizuar apo gjithçka tjetër është në krye të betejës për të shembur këtë sistem të kalbur të shantazhit që bëhet jo në emër të kujdesit për të kaluarën dhe viktimat e tij, por me metoda të shëmtuara dhe banale për të hequr vëmendjen nga grabitja që po i bëhet popullit dhe për të mbajtur në shantazh deputetë, politikanë, gazetarë, biznesmenë, etj” tha ai.