Pas tragjedisë në Himarës ku humbi jetën 7-vjeçarja, Jonada Avdia pasi u godit nga një skaf që drejtohej nga Arian Tase shefi i Policisë Së Elbasanit, policia është zgjuar dhe kanë ndaluar qarkullimin e mjeteve lundruese.
Kjo gjë ka irrituar pronarët e mjeteve lundruese pasi sipas tyre ata kanë paguar të gjitha taksat dhe detyrimet. Ditën e sotme pas atyre të Vlorës edhe pronarët e mjeteve lundruese në Durrës kanë dalë në protestë. Ata u mblodhën përpara drejtorisë së policisë kufitare.
Ata u shprehen se është e padrejtë që t’u ndërpritet aktiviteti në mes të sezonit dhe të krizës ekonomike ndërkohë që janë brenda rregullores dhe se po paralizohen për shkak të tragjedisë në Vlorë.
“Jemi taksapaguajtës të rregullt. Në mes të sezonit turistik na hiqet e drejta e ushtrimit të aktivitetit. Për shkak të ngjarjes në jug, po penalizohemi dhe ne, ndërkohë kurrë nuk kemi pasur problematika të atij lloji”, thonë ata.
Kujtojmë se në protestë kanë dalë prej ditësh shumë pronarë të mjeteve lundruese në Vlorë, Dhërmi, Shëngjin dhe Durrës. Ata kërkojnë që të mos u bllokohet aktiviteti pasi janë të pajisur me licenca dhe dokumentacion të rregullt.









