Policia e Elbasanit ka arrestuar bashkëpunëtorin e dy italianëve që mashtruan duke shitur 200 mijë euro flori të rremë në Shqipëri. Dy ditë më parë policia arrestoi F. M., 67 vjeç, banues në Napoli, Itali dhe R. G., 76 vjeç, banues në Milano, pasi akuzohen se përmes mashtrimit shitën materialin si ar në formën e kokrrizës, duke fituar 200 mijë euro.
Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shitur ar (metal) në formë kokrrizash, me vlerë 200 000 euro, në Tiranë dhe Podgoricë, gjatë periudhës qershor-gusht 2022. Ditën e sotme është vënë në pranga edhe pronari i argjendarisë, ku dy italianët u kapën në flagrancë.
“Në vijim të operacionit policor të koduar “Fake Gold”, të finalizuar 2 ditë më parë, si rezultat i të cilit u arrestuan 2 shtetas italianë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të licencura” dhe “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, si dhe u sekuestruan sasi ari i rremë dhe i pastër, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Elbasan arrestuan në flagrancë për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, shtetasin J. T., 53 vjeç, banues në Elbasan, pronari i argjendarisë në qytetin e Elbasanit, ku u arrestuan në flagrancë 2 shtetasit italianë”, njofton policia.