Pas 5 orëve takim mes presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurtit, paa angazhimeve të NATO-s dhe BE-së, duket se nuk kanë qenë mjaftueshëm të frytshme për të arritur një marrëveshje.
Pyetja që shtrohet, është ku kanë ngecur palët?
Çfarë konsiderohet punë e kryer deri tani mes Kosovës dhe Serbisë? Pse është i pakënaqur emisari amerikan? Gazeta Express ka mësuar disa detaje.
Ndonëse pritjet ishin për ndonjë marrëveshje, kur Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell u lajmërua tek pasdite, tha se takimi i sotëm ishte “jo normal” dhe ishte thirrur “për menaxhim krizash”.
Gazeta Express ka informacion se sot aty është diskutuar për çështje të hapura, për të cilat palët s’janë pajtuar me njëra-tjetrën. Shpresat e ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian janë që të mbahet një takim tjetër, para 1 shtatorit, kur Qeveria e Kosovës është zotuar se do të fusë në fuqi vendimin për reciprocitet me targa dhe dokumentet e lëshuara nga Serbia.
Siç mëson Gazeta Express, “eliminimi i letrave të bardha”, pra ato që jepen në Serbi kur një shtetas kosovar hyn në territorin e saj, janë pengesa që s’po tejkalohet në këto bisedime.
Me 31 korrik, situata u tensionua pak orë para se të hynte në fuqi vendimi me të cilin Kosova, si Serbia, do t’i pajiste shtetasit serbë me një dokument “hyrje/dalje”. Po ashtu, nuk do të lejoheshin më targat e lëshuara ilegalisht nga Serbia për Kosovë.
Kjo çështje, sipas informacioneve që i ka Express, nuk ka kthim mbrapa. Ndërmjetësuesit përkrahin vendimin e Qeverisë së Kosovës.
Përveç dy përfaqësuesve të Bashkimit Evropian që morën pjesë në takimin e sotëm, në Bruksel, ka shkruar edhe Gabriel Escobar, i angazhuari i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi.
Borrell tha sot pas takimit 5-orësh, se nuk ka marrëveshje, por shpresat e tij janë që të ketë takime të tjera, para 1 shtatorit.
“Nuk kemi një marrëveshje sot, por ky nuk është fundi. Të dy liderët janë pajtuar që procesi ka nevojë që të vazhdojë dhe se diskutimet do të rinisin në ditët në vijim. Ka ende kohë deri në shtator. Unë nuk heq dorë”, tha Borrell.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së tha se Kurti dhe Vuciç kanë pasur mundësinë që të shpalosin pikëpamjet lidhur me marrëveshjen gjithëpërfshirëse.