Të paktën 16 persona kanë vdekur dhe dhjetëra janë të zhdukur në përmbytjet e shkaktuara nga shirat e dendur në provincën Qinghai të Kinës perëndimore, njoftuan mediat shtetërore të enjten, duke shtuar se 36 persona rezultojnë të zhdukur.
Rritja e papritur e nivelit të ujit u shkaktua në një zonë malore të provincës Qinghai, e cila kufizohet kryesisht me Tibetin, pasi një shi shkaktoi rrëshqitje dheu dhe devijoi rrjedhën e një lumi.
“Numri është 16 të vdekur dhe 36 të zhdukur,” tha transmetuesi shtetëror CCTV, duke shtuar se përmbytjet kishin prekur më shumë se 6,200 banorë të gjashtë fshatrave dhe se operacionet e shpëtimit ishin duke u zhvilluar.
Ekipet e shpëtimit u mobilizuan në qarkun Datong, i cili është nën Xining, një qytet që ndodhet rreth 1300 kilometra në perëndim të Pekinit.
Videoja e shfaqur nga media shtetërore tregonte rrugë të mbuluara me baltë, pemë të shkulura, shtëpi të dëmtuara dhe punonjës shpëtimi me lopata.
Reshjet e mëdha shpesh ndodhin në Kinën qendrore dhe jugore në fund të pranverës dhe në fillim të verës. Megjithatë, Kina po përballet me mot ekstrem këtë vit, që sipas ekspertëve është për shkak të ndryshimeve klimatike.
Të shtunën, përmbytjet e shpejta në pjesën jugperëndimore të vendit vranë 4 persona dhe plagosën 9.
Edhe kjo verë shënohet nga temperatura shumë të larta. Shenja e 40 gradë Celsius u shkel në shumë zona, duke përfshirë Sichuan në Kinën jugperëndimore.
Prej kësaj jave, provinca ka racionalizuar energjinë elektrike për bizneset pasi rrjeti i saj është testuar nga kërkesa e shtuar nga kondicionerët dhe digat hidroelektrike luftojnë për të vazhduar me rënien e niveleve të ujit.