Sot drejtori i policisë së shtetit, Gledis Nano firmosi pezullimin nga detyra të polices Anisa Kostani, pjesë e drejtorisë së Krimit Ekonomik në Elbasan për sharjet dhe ofendimet ndaj gazetarëve në rrjetet sociale.
Kostani, e njohur për gjarprin që mban në shtëpi dhe kujdesin për kafshët, ofendoi gazetarët pas vrasjes së Madrit Ulqinakut, pasi media kritikoi policinë për reagimin dhe sigurinë publike. Tashmë Kostani është në hetim disiplinor.
Por kjo nuk është hera e parë që një zyrtare nga Elbasani bëhet kryefjalë e mediave. Pak kohë më parë ishte një tjetër bjonde, gjyqtarja Enkeleda Kapedeni, që u bë e njohur për videot në rrjetet sociale dhe më pas u shkarkua nga vettingu.
Kapedani u hetua nga ILD-ja për aktivitetin e saj në rrjetet sociale, me video të postuara kryesisht në TikTok, duke u pezulluar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Video “selfie” të postuara prej gjyqtares në mjediset e gjykatës, të shoqëruara me muzikë të papërshtatshme, “unë jam mafie”, u publikuan në media, duke ngjallur mjaft reagime për thyerje të Kodit të Etikës.
Për këtë arsye ajo u pezullua nga detyra për 6 muaj. Më pas Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) e shkarkoi nga detyra gjyqtaren e Elbasanit, Enkeleda Kapedeni pasi nuk rezultoi e pastër në komponentët e hetuar.