Policia malteze ka arrestuar një shqiptar që dyshohet se ka kryer një vrasje të dyfishtë në ishullin grek të Aeginës dhe ka djegur dy viktimat e tij. Ledjon Brakaj 36-vjeç u arrestua sot në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Greqia marsin e kaluar.
Brakaj dyshohet për vrasjen e pronares në pension të dyqanit të suvenireve, Irini Marmarino dhe nipit të saj Lambros Protonotarios brenda shtëpisë së saj në vitin 2015 dhe u grabiti atyre rreth 780,000 euro dhe sende me vlerë.

Mjeku ligjor i Pireut, Elias Bogiokas u citua të thoshte se viktimat u sulmuan me shkelma, grushta ose shkop dhe më pas u dogjën ngadalë të gjallë. Brakaj u arrestua pasi gjurmët e gishtave të tij përputheshin me ato të dërguara nga autoritetet greke.
Avokati i shqiptarit tha se emri i klientit të tij nuk përputhet me emrin në urdhër-arrestin grek, por gjyqtari Noel Bartolo urdhëroi që Brakaj të vendoset në paraburgim në pritje të një seance javën e ardhshme, gjatë së cilës do të diskutohen procedurat e ekstradimit.