Dy ministrat Niko Peleshi dhe Bledi Çuçi deklaruan sot se policia dhe prokuroria po punojnë për të zbërthyer skemën e rusëve që u kapën në Gramsh dhe që dyshohet se janë agjentë.
Ministri i Mbrojtjes, Peleshi tha se nuk përjashtohet që kjo ngjarje mund të jetë bërë për të tërhequr vëmendjen për diçka tjetër. Bledi Çuçi dhe Niko Peleshi u shprehën se objekti në Gramsh nuk është sekret.
Kjo deklaratë rrëzon dy nga tre akuzat e ngritura nga prokuroria për rusët për “dhënie të informatave sekrete” dhe “sigurim i informatave”.
“Për rastin e Gramshit ka një hetim dhe procedim. As e kemi mbivlerësuar dhe as nënvlerësuar, po hetojmë të gjitha rrethanat. Për na rrethanat si kanë tentuar të hyjnë dhe pajisjet që kishin dhe agresionit që kanë ushtruar këta janë marrë nën hetim dhe procedimin nga prokuroria e Elbasanit.
Hetimi do të behet i plotë. Çdo gjë tjetër t’ia lëmë hetimit ta zbërthejë skemën deri në fund. Gjatë ditëve në vijim për elementë të rinj do të komunikojmë me publikun për panoramën e situatës për qëllimin dhe atë që përfaqësojnë këta persona, që kanë tentuar që të hyjnë jo sipas rregullave dhe ligjit. Objekti nuk përbën sekret shtetëror” tha Çuçi.
Ministri Peleshi rrëzoi pretendimet e opozitës duke treguar sipas tij se përse nuk është cenuar siguria kombëtare. “Fakti që objekti është i de-klasifikuar nuk do të thotë se mund të hyjë kushdo por jo pa leje.
Kjo nuk përbën cenim të sigurisë kombëtare, por cenim të rregullores sonë. Është thyer rregullorja dhe kemi ushtrim dhune ndaj personave me uniformë. Objekti ka vlera materiale që ruhen.
Ne kemi mijëra prona në Shqipëri, por që minimalisht ka llaç e tulla që duhen ruajtur. Ndryshe nga Poliçani apo të tjera, kemi thuajse cdo gjë informacione për turistë që tentojnë të fotografojnë, në këtë rast kemi dhunë ndaj personave me uniformë. Kjo është minimalisht, maksimalisht nuk na lejohet të mos presim zbardhjen e ngjarjes.
Mund të jetë edhe një tentativë për të fshehur një skenar tjetër. Disa javë më parë u përballëm me një sulm kibernetik dhe u tejkalua.
Të gjitha ngjarjet i shikojmë në mënyrë të lidhur. Por nuk na rezulton që këta shtetas të kenë aplikuar për leje në vendin tonë” tha Peleshi.