Autoritetet ukrainase filluan shpërndarjen e tabletave të jodit për banorët pranë centralit bërthamor të Zaporizhias. E gjitha kjo nga frika e radioaktivitetit.
Vendimi erdhi një ditë pasi centrali u fik përkohësisht për shkak të dëmtim nga zjarri në një linjë transmetimi. Incidenti rriti frikën për një katastrofë bërthamore në një vend ende të përndjekur nga shpërthimi i vitit 1986 në Çernobil.
Tabletat e jodit ndihmojnë në bllokimin e përthithjes së radioaktivitetit nga gjëndra tiroide.
Agjencia e energjisë e OKB-së është përpjekur të dërgojë një ekip për të inspektuar sigurinë e centralit.
Fabrika e Zaporizhzhias është pushtuar nga forcat ruse dhe drejtohet nga punëtorë ukrainas. Të dy palët kanë akuzuar në mënyrë të përsëritur njëra-tjetrën për bombardimet e impiantit.
Në incidentin e së enjtes, Ukraina dhe Rusia fajësuan njëra-tjetrën për dëmtimin e linjës së transmetimit.
Zelensky tha se gjeneratorët rezervë të centralit që punojnë me naftë duhej të aktivizoheshin në mënyrë që të furnizonin me energji elektrike centralin.
Impianti ka nevojë për energji që të mbajë në funksion sistemet e ftohjes të reaktorëve, mungesa e së cilës mund të shkaktojë një shkrirje bërthamore.
Ukraina ka pohuar se Rusia po e përdor centralin si mburojë duke magazinuar armët atje dhe duke nisur sulme nga rrethinat e saj. Moska, nga ana e saj, akuzon Ukrainën se ka bombarduar në mënyrë të pamatur në impiant.
Reaktorët e Zaporizhias mbrohen nga kupola të trasha, të betonit të armuar që ekspertët thonë se mund t’i rezistojnë një predhe artilerie./REL