Në Tiranë, qeveria Rama shkarkoi sot drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit, Gledis Nano, për rezultate të pamjaftueshme në detyrë.
Ministri i punëve të brendshme, Blendi Çuçi, deklaroi se shkarkimi lidhet me mos-përmbushjen e objektivave, që kishin vënë me drejtorin e përgjithshëm të policisë.
Por eksperti i pavarur, Sotirq Hroni, pohoi se shkarkimi i zotit Nano është një tjetër provë, që reforma në polici nuk po funksionon dhe se politika ndërhyn shumë në punën e policisë, duke frenuar reformimin e forcave të rendit.
Dy ditë më parë në qarqet mediatike të Tiranës u përhap një njoftim se drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Gledis Nano, kishte dhënë dorëheqjen, por ai e hodhi poshtë këtë si të pavërtetë.
Por ajo që nuk ndodhi me dorëheqjen, u realizua sot me shkarkimin e tij. Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i punëve të brendshme, Bledi Çuçi, deklaroi se “policia shqiptare ka nevojë për një reagim më të fortë dhe menaxhim më efikas”, dhe se “vendimi i qeverisë për shkarkimin e zotit Nano lidhet me situatën e krijuar muajt e fundit dhe me mospërmbushjen e objektivave”, që kishin vënë me drejtorin e përgjithshëm të policisë.
Ekspertë të pavarur pohuan se shkarkimi i zotit Nano është një tjetër shembull se reforma në polici nuk po funksionon dhe se politika vazhdon të pengojë reformimin e forcave të rendit, duke ndërhyrë drejtpërdrejt në punën e tyre profesionale./VOA