Ministria e Financave dhe Transfereve tha se ka kryer pagesat për pjesën e mbetur të organizatave buxhetore për muajin gusht, por shtoi se punëtorëve që gjenden në grevë, duhet t’iu pezullohen kontratat e punës.
“Për organizatat buxhetore që nuk kanë bërë përditësimin e listave dhe ku ka indikacione që ka pasur greva, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve do të bëjë konstatim të shkeljes së dispozitave ligjore të menaxhimit të financave publike, lidhur me shpenzimin e parasë publike dhe Ligjit për greva”, thuhet në njoftim.
Kjo ministri kishte njoftuar në fund të gushtit se pagat ishin ekzekutuar pjesërisht, vetëm për ato organizata buxhetore që kishin dërguar listën e punëtorëve që nuk ishin në grevë.
“Përkundër afatit shtesë, disa organizata buxhetore as deri në ditën e sotme nuk kanë bërë përditësimin e listave për të reflektuar kompensimin e saktë për orët dhe ditët e punuara, gjë që ka ndikuar në vonesë të ekzekutimit të pagave edhe për ata që kanë punuar”, u tha në njoftim.
Duke u thirrur në Ligjin për greva, Ministria e Financave tha se punëdhënësi i grevistëve duhet t’u pezullojë kontratën e punës.
“Ky pezullim duhet të bëhet nga punëdhënësi, gjegjësisht përfaqësuesi i punëdhënësit apo Zyrtari Kryesor Administrativ i secilës organizatë buxhetore. Andaj, i takon secilës nga organizatat buxhetore që të përditësojnë listat e pagave dhe t’i dërgojnë në Thesar ashtu që të reflektohet saktë kompensimi për punën e secilit”, u tha në njoftim./REL