Ish-peshëngritësi Pirro Dhima është përfshirë në një debat me kreun e FSHP-së, Elez Gjoza që duket se do të përfundojë me gjyq.
Shkak është bërë rasti i dopingut të Evangjeli Velit. Gjoza tha pak ditë më parë se rastin e Velit e stisi trajneri grek, vëllai i Piro Dhimës, Odise Dhima.
Pirro Dhima, ish-kampioni olimpik tha se do ta çojë në gjyq, por Elez Gjoza u shpreh për “5pyetjet.al” se nuk i trembet aspak dhe se është gati të ballafaqohet.
Kreu i FSHP-së u shpreh se nuk ka akuzuar Pirro Dhimën, por ka dyshime për të vëllanë e tij.
“Unë kam hedhur dyshime për të vëllanë dhe i kam të faktuara. Kur thua ky është vëllai i filanit për opinionin, vetëm i jam referuar, sepse Pirro Dhima ka një emër.
Dhe ka një vëlla që ka një sportiste që e akuzon në Greqi direkt për dhënie narkotikësh.
Kur ta hapë gjyqin, ta hapë për veten e tij. Për mua është njeri shumë i vogël. Nuk mund të më intimidojë njeri mua. Nuk e ha unë presionin e Pirro Dhimës.
Unë kam hedhur dyshime mbi Odisen Dhimën. Nuk ka sportistja shqiptare pse të garojë në Greqi pa lejen e federatës.
Presionet që bën ai nuk më trembin fare. Jam gati të ballafaqohem me atë ku të dojë ai” tha Gjoza për “5pyetjet.al” .