Policia e Tiranës i ka vënë pranga një 34-vjeçari dhe ka shpallur në kërkim një 39-vjeçar pasi i kanë zhvatur 6000 euro një qytetari. Uniformat blu raportojnë se dy personat e kanë mashtruar qytetarin duke u hequr si dikush tjetër në rrjetet socialë dhe më pas i kanë marrë paratë
Tiranë / Vijon puna për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive në fushën e krimit ekonomik.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, pas kallëzimit të marrë nga një shtetas se në një rrjet social 2 persona të paidentifikuar i janë prezantuar me identitetin e një shtetasi tjetër dhe duke e mashtruar, i kanë kërkuar një shumë parash prej 6000 eurosh, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin, kapjen dhe ndalimin këtyre shtetasve në kuadër të operacionit policor të koduar “Fiction”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua shtetasi T. Y., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi” dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi F. Gj., 39 vjeç, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me anë të mashtrimit në një rrjet social, duke u prezantuar si dikush tjetër, i kanë kërkuar shtetasit F. B., 33 vjeç, shumën prej 6000 eurosh.
Vijon puna për kapjen e shtetasit F. Gj.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.