Biznesmeni i njohur i ndërtimit Pëllumb Salillari ishte i dyti në shënjestër nga qeveria për ndërtimet pa leje.
Sot, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi me Dallëndyshe Bicin në njërin krah dhe drejtorin e policisë së Tiranës në krahun tjetër i shkoi te pallati në Farkë.
Çuçi tha se pallati që po ndërton Salillari ka 1200 m2 pa leje. Ministri nuk njoftoi ndonjë masë ligjore për biznesmenin, por i ofroi tre mundësi për të kapërcyer shkeljen.
Por kush është Pëllumb Salillari?
Biznesmeni operon prej vitesh në fushën në ndërtimit, rrugë dhe pallate.
Pëllumb Salillari nuk është një emër i panjohur për mediat dhe publikun në Shqipëri. Ai është drejtuesi i kompanisë “Salillari shpk”.
Ndërtuesi është bërë i njohur për tre arsye; tenderat, puthjen që kryeministri i dha në ballë dhe akuzat e opozitës.
Në dhjetor të vitit 2019 gjatë inaugurimit të një shtëpie në Petrelë, i pranishëm ishte edhe Salillari.
Ai e ndërtoi dhe për këtë arsye Rama e falënderoi dhe më pas e thirri duke e puthur në ballë.

PD e ka denoncuar për Unazën e Re. Edmond Spaho shprehej se Edi Rama favorizon kompaninë “Salillari”, edhe pse ajo nuk përmbush kriteret që nevojiten.
“Për tenderin janë në garë 8 kompani, por Rama ka favorizuar firmën Salillari.
Sipas një vendimi të qeverisë, një kompani nuk shpallet dot fituese nëse nuk ka plotësuar 70 për qind të kontratave që ka lidhur me shtetin.
Kompania Salillari është klientë e shumëfishtë e Ramës.

Ky është tjetër rast flagrant se Rama nuk ndalet te Unaza e Re” deklaronte Spaho ndër të tjera.
Në Janar të vitit 2021 Salillari ishte në qendër të mediave pas çarjes së rrugës së Broshit, që kishte vetëm pak kohë që ishte ndërtuar.

Pak kohë më parë, deputetja e PD-së Ina Zhupa publikoi një foto ku shihej Elisa Spiropali duke konsumuar një kafe me biznesmenin Salillari.

“Zonja e Doganave” të shqetësohet për korrupsionin që varfëron familjet shqiptare.
Dhe të japë llogari përpara qytetarëve për takimet me oligarkët, që gjallojnë falë klientelizmit të qeverisë më të korruptuar në Europë” shkruante Zhupa.









