-sidi education-spot_img
8.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Basha, Berisha dhe fondet ruse

Kryesoret

Zëri i Amerikës, në njërin nga shkrimet e tij, ka cituar një kabllogram të Departamentit të Drejtësisë dhe inteligjencies amerikane se Rusia, përmes fondit të veçantë të presidentit të saj, Putin, ka financuar Partinë Demokratike në Shqipëri.

Ndërsa më parë, sinjali kishte ardhur përmes një kompanie lobimi në Shtetet e Bashkuara, tani është fjala për dy nga institucionet më serioze dhe më të besueshme të shtetit amerikan: Departamentin e Drejtësisë dhe shërbimin inteligjent.

Lulzim Basha, i cili ka qenë kryetar i PD kur është bërë ky kalim i dollarëve rusë, ka reaguar duke thënë se “PD ka kërkuar të hetohet që në daljen e këtyre pretendimeve dhe se drejtësia hodhi poshtë çdo akuzë”. Ai deshi të nënvizojë se “Partia Demokratike nuk ka marrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus”.

Jo rastësisht, informacionin e dhënë nga Departamenti i Drejtësisë dhe shërbimi inteligjent amerikan e mbështet edhe drejtuesi i tashëm i PD-së, Sali Berisha. Natyrisht ai, dhe portalet pranë birit të tij, nuk e mbështetin nga dëshira për të vërtetën, por tani Basha është armiku i tyre politik dhe si i tillë duhet dërmuar. Sidoqoftë, nuk është njëra nga shashkat e tij të hedhura në erë. Ai po vrapon të distancojë Bashën nga PD-ja, pasi e di mirëfilli se kjo ka ndodhur, paratë e dhëna nga shërbimi i fshehtë rus janë dërguar në adresën e dhënë, në kompaninë e lobimit, e jo vetëm tek ajo; e di po ashtu, se në fillimet e ngritjes së strukturave të kësaj force politike, që në janar të fitit 1991, paratë me origjinë sllave, konkretisht serbe, dorëzoheshin te Azem Hajdari, si kontribut i shërbimit të fshehtë serb dhe politikës serbe për të shkatërruar gjithçka.

Të kthehemi te Basha dhe te pyetja e drejtëpërdrejtë: për sa dollarë e shet ai këtë vend?

Lulzim Basha është një figurë politike e dalë nga nëntoka serbe për të qenë drejtuesi i opozitës. Ai ishte një i panjohur, merita e vetme e dukshme e të cilit ishte njohja me zonjën Argita Berisha. Rreth tyre ishte një grup i të rinjve unmikas, që, pasi u trajnuan si ekspertë në ndjekjen e krimeve të supozuara të UÇK-së, apo në ngjarje të tjera të luftës dhe pasluftës në Kosovë, erdhën në Shqipëri dhe, së bashku, u bënë pjesë e opozitës.

Figura rreth të cilit Berisha përqendroi gjithë këtë grup ishte Basha. Ai erdhi  duke deklaruar një pasuri miliona eurosh të fituara me rrogën e angazhimit të tij në strukturat e drejtësisë në Kosovë. Asnjë tjetër, që kishte qenë në të njëjtën kohë me të, ndoshta edhe më gjatë në strukturat e larta ndërkombëtare në Kosovë nuk kishte një pasuri të tillë. Njëri nga të angazhuarit për shumë vite në Kosovë, shqiptar nga viset shqiptare në Maqedoni, me pozicion të njëjtë, ndoshta edhe më të lartë në UNMIK, në deklarimin e tij zyrtar, por edhe në bisedë private, pas kthimit në vendlindje, ku ushtron një post të lartë shtetëror, deklaronte se pasuria e tij ishte dhjetë herë më e vogël nga ajo që kishte deklaruar Lulzim Basha.

Ky i fundit, asnjëherë nuk i justifikoi dot të ardhurat e shumëfishta që i paskësh krijuar në Kosovë, dhe askush nga institucionet përkatëse në Shqipëri nuk ia kërkoi. Shkaku ishte i thjeshtë: ai erdhi në Shqipëri në vitin 2005, së bashku me pushtetin e PD-së, dhe ende pa e ditur se ku ishte godina e Ministrisë së Komunikacionit, u bë ministri i saj.

Le ti marrim gjërat me radhë: Shefi i dikurshëm i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, krejt hapur, deklaronte asokohe në një emision TV se pasuria e tij kapte milionin në euro dhe se, kjo pasuri ishtë vënë para se ai të futet në politikë dhe të jetë pjesë e saj.  Në intervistën e tij, Basha, nën ditirambin e vetvetes, nuk bëri asnjë arsyetim se si ishte bërë djali 31 vjeçar, (kaq ishte asaj kohe kur u bë pjesë e politikës, në janar të vitit 2005), milioner, kur në të gjithë jetën e tij ai kishte vetëm 5 vite punë të rregullt, pa llogaritur këtu atë që mund të ketë fituar kur ka qenë përkohësisht kamerier në Rinas, një punë që unë e respektoj shumë më tepër se ato që shefi i Shqup-it ka bërë më pas.

Deri në fundin e vitit 1999 ishte në Hollandë, ku vazhdonte studimet në njërin nga universitetet e njohura të tij, për të cilin askush nuk është i sigurtë nëse e ka përfunduar. Përralla e tij e afishuar në jetëshkrimin privat se, kur ishte student ka punuar si këshilltar juridik në firmat private holandeze, është e pabukë dhe njëkohësisht e thurur keq. Nuk mund të bënte përmes këtyre “këshillave” as një dhjetëshe nga milioni i parë që ka deklaruar. Jo pak studentë e zënë kohën e tyre në një punë dytësore, por, sipas kushteve, ligjeve dhe mundësive, përmes shpërblimit që marrin mund të mbulojnë vetëm një pjesë të vogël të jetesës së tyre.

Vetëm nëse kanë pasur “ndihmë” nga ndonjë kompani piramidale në Shqipëri, si Vefa Hollding, me të cilën ishin të lidhur familjarisht çifti Basha, atëherë mund të arsyetohet se “këshilla” juridike e tij, ka qenë e vyer.

Jetën e vërtete profesionale Basha, si shumë të tjerë që më pas u lidhën me PD-në përmes rekomandimit të zonjës Berisha-Malltezi, e filloi në Kosovë dhe pikërisht në zyrat juridike dhe hetimore të UNMIK-ut, ku nuk ishe vetëm një përkthyes i zakonshëm, por shumë më tepër se kaq. I distancuar nga shqiptarët e Kosovës, më tepër një i ri trendi, jo fort i shoqërueshëm, Basha, mrekullisht e gjeti veten në strukturat hetuese të UNMIK-ut dhe u bë një pjesë e rëndësishme e tyre, që nga hetimet ndaj luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dorëzimi i dosjes hetimore të Millosheviqit e deri tek historia mafioze e Shtëpisë së Verdhë, një sajesë e gjetur e shërbimit të fshehtë serb, nga e cila sot janë në Hagë disa nga drejtuesit kryesorë të UÇK-së.

Në Kosovë Basha qëndroi diçka më shumë se katër vite. Filloi të punojë në fundin e vitit 1999 dhe u bë pjesë e politikës shqiptare në janar 2005. Në katër vite pasuria e Bashës u bë pak më shumë se një milion euro. Kjo është vetëm pasuria e deklaruar e tij, por le ta marrim të mirëqenë.

Në secilin vit, sipas një llogarie të thjeshtë, Basha paska përfituar dhe ka kursyer njëkohësisht, duke e marrë të mirëqenë deklaratën e tij, 250 mijë euro, ose një pagë mujore prej 20 mijë e 500 euro, me kusht që të mos ketë ngrënë, të mos ketë udhëtuar nga Prishtina drejt Holandës, të mos ketë paguar qira, të mos ketë pirë asnjë gotë ujë, të mos ketë vizituar prindërit në Tiranë, të mos jetë takuar me asnjëri, bile as me mikun e tij, Damir Fazlliq.

Sipas kësaj llogarie, edhe të tjerët, kolegë të tij partiakë të sotëm, që kanë punuar në të njëjtën organizatë dhe jo rrallë edhe në sektorë të njëjtë, duhej të kishin qenë në katër vite milionerë, ndoshta më të pasur se sa zoti Basha, pasi nuk kanë hequr shpenzimet e udhëtimeve të shpeshta nga Prishtina drejt Holandës, kur për më tepër nuk kishte as linjë direkt në ato vite.

Në asnjë rast, shuma e përfituar nga njerëzit që kanë punuar në strukturat e UNMIk-ut në Prishtinë, pra, duke përfshirë rrogat e zakonshme dhe shërbimet, si dietat etj, edhe nga funksionarë shumë më të rëndësishëm se sa Basha apo të tjerët rreth tij, nuk ka kaluar 8 mijë eurot mujore. Në deklaratat e të ardhurave, që bëhen zakonisht për të gjithë punonjësit e ardhur nga vendet evropiane, e që kanë punuar në Kosovë, nuk ka lindur një milioner i ri, si ka ndodhur me Bashën.

Ata, sa më shumë që kanë përfituar, e kanë përfituar më shumë se sa Basha, sepse në shumë raste ishin shefat e tij, aq më shumë janë taksuar, por, edhe sikur të mos ishin taksuar, nuk do të ishin milionerë.

Basha ka pasur  një rrugë për të hequr dyshimet rreth pasurimit të tij. Ai duhet të ketë të gjitha shpërblimet që ka marrë në vite, sepse nuk ka punuar në të zezë, ai duhet t’i ketë të gjitha kontratat e punës që ka bërë, në të cilat përcaktohen qartë shpërblimet e detyrimet, duhet të ketë kalimet bankare nga zyrat financiare të UNMIK-ut drejt llogarisë së tij private, dhe, asnjëra prej tyre nuk është më sekret, sidomos kur deklaron se para se të futej në politikë ka qenë milioner.

A ka qenë kjo e vetmja rrugë e pasurisë së tij?

Prej shumë kohësh ai është akuzuar nga figura të njohura të strukturave të larta drejtuese të UÇK-së se, në punën e tij , ai, jo vetëm që ka hetuar e ndryshuar deklarimet e personaliteteve të luftës, disa nga të cilët janë dënuar në Kosovë, e të tjerët janë në Hagë ose mund të shkojnë atje; por, çka është më e rëndë, se, përmes tij ose njerëzve të lidhur me të, kanë dalë nga fshehtësia dosje që janë të lidhura me hetimin e Millosheviqit në luftën e Kosovës.

Gjithnjë ka dy dosje, ajo hetimore dhe ajo e prokurorisë. Dosja hetimore nganjëherë është që nga “mirë se erdhët” e deri te “natën e mirë”, ajo e prokurorisë, së bashku me materialet shfajësuese është çfarë paraqitet në gjyq.

Kur ndiqja gjyqin e filluar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës kundër Millosheviqit, më bënte përshtypje njohuria e tij e thellë, nganjëherë deri në pabesueshmëri, e personave që dëshmonin ndaj tij, dhe, duke qenë i njohur me rrethana që ishin biseduar në mënyrë private, në momentet e pushimeve, ai kishte një përparçsi të pazakontë. I kam pyetur dëshmitarët shqiptarë përse ndodhte kjo, si ishte e mundur që jo pak herë ata ishin gjendur ngushtë , e nga ana tjetër, nga vinte kjo njohuri e gjerë e njeriut të krimit.

Kjo enigmë është e lidhur, gjithnjë sipas përcaktimeve që janë bërë nga figurat e thëna më lart, me një nxjerrje jashtë të skemës hetuese të dosjeve; pra janë dhënë edhe elementë që nuk ishin edhe aq të domosdoshme, por që krijonin bllokimin e dëshmitarëve, sidomos kur ata ishin njerëz të zakonshëm.

Ndërlidhja e mëtejshme e emrit të Bashës me Damir Fazlliq, serbo – boshnjakun e një mijë e një punëve të errëta, për më tepër nipin e shefit të shërbimit sekret serb në kohën e masakrave në luftën e Kosovës, Stanishiq, miqësia e ngushtë mes tyre, punët e përbashkëta, kthimi i Fazlliqit në një mentor të Bashës, sakrifikimi i Olldashit në zgjedhjet bashkiake, shpërfytyrimi Bashës nga një politikan modern, si mendohej të ishte, në një sozie e shefit të tij të çartur mendsh, hija gjithnjë e më e madhe e Fazlliqit mbi ecjen e tij, të gjitha këto, së bashku e veç e veç, kanë bërë që enigmat e misteret të shtohen. Ato bëhen edhe më të ndjeshme kur vetë ai, në një emision televiziv deklaron se bërë milioner në Kosovë.

Pasuria e Bashës tani është shumë milionëshe. Në kohën e qëndrimit të tij si shef i opozitës ai e ka rritur atë, edhe pse në dukje nuk ka pasur fuqi administrative. Në zgjedhjet e fundit politike, sipas një burimi të besueshëm, pasuria e tij është rritur me 2 milionë euro, veç vilave që u shtuan në pasurinë e tij të patundshme. Tani ai është njeri nga milionerët e këtij shteti të varfër.

Nëse do të ishte bërë me punë të ndershme, fantazi, guxim, përkushtim, hallall i pastë. Por ai që 9 vite nuk ka punuar dhe nuk ka pasur asnjë post shtetëror. Është i vetmi që pasurohet në opozitë në mënyrë marramendëse.

Tani, kur nuk akuzohet më nga media shqiptare apo nga shefi i qeverisë, që e kishte xhan, por nga institucione serioze amerikane, justifikohet se, “drejtësia hodhi poshtë çdo pretendim”.

Drejtësia, përmes një precedenti të rrezikshëm ka hedhur poshtë edhe akuzën e provuar në ndërtimin e Rrugës së Kombit, ku munguan 230 milionë euro, dhe gjërat kanë mbetur përgjysmë. Ministër i rrugëve ishte Basha, që ditën sëmurej dhe nuk paraqitej në gjykatë, ndërsa natën bënte llogari të prapështa.

Drejtësia nuk e ka hetuar asnjë herë rastin Basha si ministër i Brendshëm, kur në 21 janar u vranë 4 protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Edhe atëherë, në kohën e pikut të krizës, mes tij dhe Berishës,  kur Basha provoi të flasë disa të vërteta, institucionet e drejtësisë heshtën. Asnjëri nga dy përgjegjësit kryesorë nuk u hetuan, bile as kur provuan të bënin puçin kushtetues ndaj institucionit të prokurorisë së shtetit, në mos zbatimin e urdhërimit për ndalimin e disa krerëve të Gardës së republikës pas 21 janarit.

Drejtësia nuk e ka gjykuar rastin Basha, as kur ai bëri marrëveshjen antikombëtare të Detit, një akt i hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, që mbante firmën e tij. Ai e fali lehtësisht çfarë pala greke mendoi se duhej falur dhe është e vështirë të besosh se kjo është bërë vetëm përmes një puthje të Dora Bakojanis, ministria e Punëve të Jashtme të shtetit grek. Basha nuk u gjykua as për këtë.

Në tri rastet kur ai ka qenë titullar i një institucioni, mbi kurrizin e tij rëndojnë faje të mëdha, që nuk janë gjykuar kurrë, ndaj alibia se, “drejtësia hodhi poshtë çdo pretendim” , është ndër ato shashkat e justifikimit bosh dhe pa vlerë.

Drejtësia nuk ka hetuar, jo më gjykuar, rastet e mëdha të korrupsionit të Damir Fazlliqit, të studios Kola-Malltezi, kunatit të Bashës, si përfaqësuesi i Fazlliqit në Shqipëri, lëvizjet e miliona eurove në transaksione të dyshimta, që gjithnjë përfundonin ose në duart e Erion Isufit, kunatit të Bashës, ose të studios Kola – Malltezi.

Jo rastësisht këto lëvizje bëheshin përmes kompanive guaske ose në qarqe të mbyllura bankare. Pra, jo rastësisht, emri i tij shfaqet edhe tani, në lobimin 500 mijë dollarësh, të cilat janë të ditura, të njohura dhe të siguruara si prova nga Departamenti i Drejtësisë dhe strukturat inteligjente amerikane.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo, në një deklaratë për mediat u shpreh se PD-ja ka denoncuar publikisht këtë akt kriminal të Lulzim Bashës. Deputetë besnikë të Berishës, si ishin dje ithtarë të Bashës, mes tyre Paloka dhe Pollo kanë kërkuar të kenë sqarime se ku kanë shkuar dollarët rusë.

Por, para se ta bëjë këtë një strukturë politike apo ta kërkojnë zëdhënës politikë, këtë duhet ta bëjë drejtësia shqiptare. Ta bëjë si duhet, deri në fund, pa ngurrim, e, mbi të gjitha, pa frikë./ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit