Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri i shoqëruar nga Sekretari Organizativ Blendi Klosi, Sekretar për Çështjet Zgjedhore dhe Ligjore Eridian Salianji, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, zv. Ministrja e Jashtme Artemis Dralo zhvilluan një takim me strukturat e PS dhe mbështetës që jetojnë e punojnë në Selanik.
Pasi njohu bashkëbiseduesit me reformat e ndërmarra në Shqipëri, Gjiknuri shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të mbështetur emigrantët kudo që ata janë.
“Diskutuam mbi problematikat me të cilat ndeshen emigrantët dhe atë çka ne mund të bëjmë që në bashkëpunim me autoritetet greke të mund t’i adresojmë. Qeveria shqiptare ka ndërmarrë ndërkaq të gjitha masat për të përmirësuar shërbimet konsullore e gjendur sa më pranë çdo bashkatdhetari”, shkruan Gjiknuri në postimin në FB.
Numri dy i PS nënvizoi se Shqipëria tashmë u garanton emigrantëve të drejtën e votës në Kod. Ai u bëri thirrje atyre që të shprehur vullnetin politik në zgjedhje.
“Gjithashtu, i informuam për atë çka po bëhet në Shqipëri jo vetëm për t’u përballur me sfidat e kohës por për të shëndoshur ekonominë dhe zgjeruar mundësitë që kursimet e tyre emigrantët të vinë t’i investojnë në Atdhe. E drejta e votës së tyre tanimë e sanksionuar në Kod garanton shprehjen e vullnetit politik edhe nga vendet ku jetojnë, por rasti i Greqisë tregon më së miri se ata e kanë gjetur gjithnjë rrugën për të shprehur mbështetjen me votë qoftë dhe duke u kthyer ne Atdhe në ditën e zgjedhjeve pa pritur bërjen realitet të votës në distancë”, shtoi më tej Gjiknuri.
Sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri theksoi se Partia Socialiste mbetet e vetmja forcë politike që u ka kushtuar vëmendje bashkatdhetarëve tanë në Greqi.