Ditën e sotme janë arrestuar Lazer Curri, Emanuel Turmalaj, Artan Syla dhe Zef Deda pasi u kapën në flagrancë duke kultivuar kanabis.
Lazer Curri 32 vjeç, banues në fshatin Pepaj, Shkodër, u arrestua për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi, në fshatin Pepaj, Shkodër, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 58 kilogramë kanabis, në proces tharjeje.
Gjithashtu edhe Emanuel Turmalaj 21 vjeç, banues në fshatin Razëm, Malësi e Madhe, ka rënë në pranga për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, pasi në vendin e quajtur “Lugu i Lajthive”, në fshatin Razëm, janë gjetur 101 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, që dyshohet se janë kultivuar nga ky shtetas. Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies.
Po ashtu policia e Pukës ka arrestuar në flagrancë Artan Sylën 42 vjeç, banues në fshatin Flet, Fushë Arrëz dhe Zef Dedën 52 vjeç, banues në fshatin Qafë Mali, Fushë Arrëz, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi në fshatin Blerim, në një magazinë në afërsi të banesës të Sulës janë gjetur rreth 24.5 kg kanabis, në proces tharjeje.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.