Lëvizja Vetëvendosje në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës ka kërkuar ndryshimin e rendit të ditës, për votimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare
Shefi i grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës tha se kjo është e papranueshme, përderisa 26 mijë familje janë pa paga.
Megjithatë, një gjë e tillë nuk po mbështetet nga ana e partive opozitare me arsyetimin se më e rëndësishme në këtë moment është diskutimi për mos-ekzekutimin e pagave të mësimdhënësve sesa votimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare.
Në anën tjetër shefi i grupit parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se subjekti që ai e përfaqëson nuk do ta votojë asnjë marrëveshje ndërkombëtare dhe rrjedhimisht është kundër ndryshimit të rendit të ditës përderisa vazhdon saga me pagat për mësimdhënësit.
“Paguani arsimtarët, 26 familje nuk i kanë marrë pagat për mbijetesë. Kjo është absurde çka po propozoni. 26 mijë familje nuk kanë marrë paga, kjo është urgjenca. Duhet me i marrë pagat. Propozimi është i papranueshëm”, ka thënë Gashi.
I të njëjtit mendim është edhe shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, sipas tij PDK nuk e mbështet ndryshimin e rendit të ditës.
“Ju thjesht duhet të përmbushni obligimin ligjor. Shpresojë që do të reflektoni dhe t’i procedoni pagat dhe ne do t’i kthehemi normalitetit”, ka thënë Tahiri