Banorët, apartamentet e të cilëve u dogjën në kompleksin “Arlis” në zonën e Farmacisë 10 në Tiranë kanë nënshkruar sot një peticion me 10 kërkesa urgjente. Kërkesat e tyre konstatojnë me dëmshpërblimin e qirasë derisa apartamentet të rindërtohen dhe formalizimin e çdo detaji të këtij procesi.
PETICIONI I BANORËVE
Përshëndetje banorë të kompleksit Arli! Mendoj se kërkesat tona të përmbledhura, janë si më poshtë:
- Ekspertizë e pavarur dhe e detajuar teknike për të vlerësuar sigurinë e materialeve termoizoluese të përdorura në fasadë.
- Zëvendësimi i menjëhershëm i çdo materiali të rrezikshëm me materiale të certifikuara dhe rezistente ndaj zjarrit, sipas standardeve europiane.
- Audit i plotë i sistemit të mbrojtjes kundër zjarrit, përfshirë: sistemet e alarmit, pajisjet e fikjes së zjarrit, rrugët e evakuimit.
- Transparencë nga kompania ndërtuese, mbi materialet e përdorura dhe kontrollin e cilësisë gjatë ndërtimit.
- Përgjegjësi ligjore dhe administrative, nëse konstatohet neglizhencë apo shkelje e standardeve të sigurisë, për mos certifikimin e impianteve elektrike, etj.
- Zhdëmtimi i të gjithë banorëve dhe bizneseve të dëmtuara.
- Kontratat e porosisë të formalizohen pranë noterit.
- Apartamentet të rikthehen në gjendjen e mëparshme, sipas përmbajtjes së kontratës.
- Të sigurohet strehimi dhe të mbulohen shpenzimet e qirasë për banorët, apartamentet e të cilëve janë dëmtuar/djegur.
- Kompleksi të pajiset me hidrantë dhe fikse zjarri funksionale, pasi aktualisht kanë qenë jashtë funksionit
Me respekt,
Banorët e pallatit “Arlis”
(Tiranë, zona “Farmacia 10”)









