Policia e Shkodrës ka arrestuar 7 persona dhe ka shpallur në kërkim pesë të tjerë për kultivim e shitje kanabisi.
Në njoftimin e policisë thuhet se në vijim të megaoperacionit të koduar “Qarku”, strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” kanë arrestuar shteasit: S. G 43 vjeçe, E. P 19 vjeç, E. P 42 vjeç, të tre banues në Shkodër dhe M. Ç 37 vjeç, banues në fshatin Grudë Fushë, Malësi e Madhe.
Gjatë kontrolleve fizike që shërbimet e Policisë kanë ushtruar ndaj këtyre shtetasve, të cilët ndodheshin në një lokal në lagjen “Fahri Ramadani”, Shkodër, u kanë gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike kanabis dhe kokainë të ndarë në doza, gati për shitje.
Në vijim të kontrolleve, në çantën e shtetasit të arrestuar S. G shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.
Gjithashtu më pas E. G 22 vjeç, L. P 23 vjeç dhe K. F 30 vjeç, të tre banues në Shkodër u kapën në aksin rrugor “Koman-Vau i Dejës”, teksa transportonin me një automjet tip “Benz”, 15 kilogramë.
Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit K. P 24 vjeç dhe V. P 20 vjeç, pasi rezultuan të përfshirë në veprimtaritë kriminale në fushën e narkotikëve.
Gjithashtu është shpallur në kërkim edhe P. C pasi i janë gjetur bimë kanabisi në proces tharjeje dhe një sasi lënde narkotike kanabis, e thatë, me peshë totale 62 kilogramë.
Po ashtu edhe P. A 31 vjeç dhe D. A 32 vjeç (vëllezër) u shpallën në kërkim për trafikim të lëndëve narkotike.