Sali Berisha mohoi sot pretendimet e Edi Ramës, se ai bashkë me Ilir Metën qëndrojnë pas protestës së pedagogëve, që nesër kanë njoftuar protestë kombëtare në Tiranë. Ish-kryeministri u shpreh se PD mbështet protestën e pedagogëve, por ka axhendën e vet.
“Krye-axhenda e parlamentit nesër duhet të jetë mbrojtja e elitës universitare dhe denoncimi i këtij agresioni, këtij sulmi të shpëlarë kundër tyre, përpjekjet për t’i përçarë. Ndërhyrje terroriste për t’i përçarë.
Çfarë kërcënimesh u bëhen, u thotë do u mbyll universitetin këtyre në periferi, sikur i ka private në të vetat. Nesër ata kanë shprehur, thirrur grevë të përgjithshme, ne solidarizohemi dhe e mbështesim.
Ne kemi axhendën tonë të protestave. Unë sot kam takim me kryetarët e PD-së, degëve të Tiranës. Ne kemi axhendën tonë, sindikatat kanë të tyren” tha Berisha.