17 orë pas vdekjes së të riut Lear Kurti Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e drejtuar nga Ardi Veliu dhe prokuroria kanë dalë me një njoftim zyrtar për rastin tragjik. Shteti “lanë duart” duke u shfajësuar për vdekjen e 32-vjeçarit. Në njoftim theksohet se policët nuk kanë ushtruar dhunë dhe se në stomakun e të riut u gjet një qese, ambalazh droge duke lënë të kuptohet se ky ishte shkaku i vdekjes.
Kronologjia
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore deklaron se mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:07, punonjësit e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë patrullimit në Rr. “Riza Çuka” në zonën e Laprakës i kërkuan që të ndalonte për kontroll, por i riu ia mbathi. “Pasi ka vrapuar për rreth 200 metra, i ndjekur nga patrulla e Policisë, mes rrugicave midis rrugës “Riza Çuka” dhe “Don Bosko”, ai është kapur dhe ndaluar nga punonjësit e Policisë, vend në të cilin kanë qëndruar 7 minuta” thuhet në njoftim. Deri në këtë pikë asnjë problem. Më pas policia, thotë “është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 ku ka shfaqur probleme shëndetësore, gjë e cila ka diktuar dërgimin në Spitalin e Traumës, ku është konstatuar humbja e jetës”.
Dy kontradiktat
Në njoftimin e parë të AMP-së theksohej se problemet i riu i kishte shfaqur gjatë shoqërimit. “Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shëndetësore”. Në njoftimin e dytë deklarohet se i ka shfaqur problemet pasi u shoqërua. Më pas vjen kontradikta e dytë. “Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë”. Por spitali i Traumës e rrëzoi këtë pretendim duke deklaruar për mediat se “Lear Kurti erdhi i vdekur”.
Misteri
Në njoftimin e parë për mediat, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nxirrte pretekstin e vonesës së ambulancës. “Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë”. Por në njoftimin e dytë nuk e përmendte më këtë fakt. A u tërhoq se nuk qëndronte ky pretendim?
Itinerari dhe vrapi i fundit
Nga veprimet hetimore të kryera, policia thotë se është dokumentuar i gjithë itinerari dhe veprimet e punonjësve të Policisë nga momenti kur Kurtit i kërkohet të identifikohet deri në shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të policisë Nr 3. Po sipas policisë ky itinerar pasqyrohet në pamjet filmike të administruara nga 5 kamera të vendeve të ndryshme, deklarimet e personave të pranishëm, mes tyre dhe dy shokëve të viktimës, si dhe nga deklarimet e punonjësve të Policisë.
Ekspertiza
Sipas prokurorisë dhe AMP-së u bë këqyrja e kufomës në prani të stafit mjeko-ligjor, nga e cila nuk rezulton që në trupin e viktimës të ketë dëmtime apo shenja dhune. “Në kyçe konstatohen shenjat e krijuara në momentin e prangosjes. Nga autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, rezultoi se në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5×5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike, e cila i është nënshtruar ekzaminimit në Institutin e Policisë Shkencore” thotë policia. A e shkaktoi kjo vdekjen? Për këtë ende nuk ka një përgjigje.
Shfajësimi
Megjithatë, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, sipas prokurorisë vijojnë ekzaminimet për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Në fund, shteti shfajëson policët. “Nga analiza e kryer e provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimeve, si pamje filmike, këqyrje dhe ekzaminime mjeko-ligjore, nuk evidentohen veprime të kundraligjshme të punonjësve të Policisë, gjatë dhe pas shoqërimit të 32 vjeçarit. Për sa më sipër, AMP nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë vijon hetimet për të sqaruar dhe zbardhur shkakun e vdekjes dhe rrethana të tjera të ngjarjes” mbyllet njoftimi.
Akuza e babait
Babai i Lear Kurtit, Artur Isai tha se nuk është i ati i tij biologjik, pasi e kishte adoptuar nga Shtëpia e Fëmijës në Tiranë. Ai hodhi poshtë pretendimet në media se djali kishte probleme shëndetësore dhe akuzoi policinë. “Cilat autoritete? Ato që e kanë mbytur?! Ku ka këtu shtet. Gjeta ata të SHKB-së aty më thanë nuk dimë gjë. Në rrugë të zotit. Nuk ka qenë asnjë person i rrezikshëm për ta trajtuar në ato lloj formash. Djali ka qenë 2 metra si luan” tha ai.
Opozita dhe qeveria
Qeveria deri tani ka heshtur. Nuk ka pasur asnjë reagim nga asnjë eksponent i shumicës. Opozita ka akuzuar direkt policinë. Sali Berisha deklaroi se i riu vdiq për shkak të dhunës së policisë. Partia e Lirisë kërkoi dorëheqjen e Bledi Çuçit nga posti i ministrit të Brendshëm. Kjo nuk është hera e parë që në rrugë apo komisariate në vitet e fundit vdesin qytetarë. Rasti i Klodian Rashës që u vra në 8 dhjetor 2020 shkaktoi revoltë dhe protesta masive.