Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta akuzoi policinë e shtetit për vrasjen e të riut Lear Kurti. Në një deklaratë për mediat me tone të ashpra, ish-presidenti kërkoi largimin e Edi Ramës e Bledi Çuçit dhe procedimin e drejtorit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Ardi Veliu.
Ilir Meta tha se policia dhe AMP gënjyen për vdekjen e të riut duke nisur nga momenti kur ndërroi jetë. Gjithashtu kreu i partisë së Lirisë tha se autopsia është bërë në kundërshtim me ligjin përpara kohës së përcaktuar duke ngritur aludime dhe lëshuar akuza për nxitimin.
“Kjo situatë kriminale që ka mbështetës dhe frymëzues personalisht Edi Ramën ka vetëm një zgjidhje: Largimin e menjëhershëm të Ramës, Ministrit të Brendshëm Çuçi si përgjegjësit kryesorë të krimit shtetëror të përsëritur.
Të procedohet Ard Veliu manipulues i disa ngjarjeve shumë të rënda kriminale të policisë së Ramës. Prokuroria duhet të zbardhë tërësisht ngjarjen, jashtë ccdo ndërhyrjeje dhe presioni qeveritar dhe policor.
Avokati i Popullit duhet të bëjë sa më parë transparencën e gjithë kësaj ngjarjeje kriminale me pasoja tragjike. Koha nuk pret për të parandaluar vrasje të tjera të qytetarëve nga policia e patronazhistëve të Edi Ramës që atij i duhet vetëm për të vjedhur votat dhe për të dhunuar qytetarët e Shqipërisë.
Koha nuk pret për të parandaluar fatkeqësi dhe tragjedi të tjera për familjet shqiptare dhe tronditje të tjera për të gjithë opinionin shoqëror në vendin tonë. Ndaj i bëj thirrje medias dhe shoqërisë civile të monitorojnë hetimin dhe njëkohësisht të ecim të gjithë së bashku në transparencë të plotë deri në ndëshkimin e autorëve të kësaj tragjedie që mban vetëm një emër policia patronazhiste e Edi Ramës” tha Meta.