Gjykata e Durrësit ka vendosur që të lërë në burg pa afat biznesmenin Elidon Çela, i cili ditën e premte u arrestua, pasi iu zbuluan në autobusin e firmës së tij 522 mijë euro cash, që po tentonte t’i fuste në Shqipëri pa i deklaruar.
Për dy shoferët Dritan Kamberi dhe Anold Cankja gjykata vendosi që t’i lironte në masën detyrim paraqitje.
Avokati i Çelës nuk u pajtua me vendimin duke deklaruar se klienti i tij, shumën e konsiderueshme e kishte nga kursimet e jetës me punë të ligjshme, jo me aktivitet kriminal.
“Ai po i sillte nga Italia se i ka fitim të 27 viteve. Ka biznes atje, ka punë të ndryshme atje, ka punuar në Itali, ka shitur, ka blerë.
Shoferi kishte pretendime se ka pushtetarë tha që ia vjedhin shtetit dhe nuk i lë njeri në burg, 4 mln euro, jo të më lërë mua në burg për 520 mijë euro që i kam të miat.
Gjithsesi kështu mendoi gjykata, kështu mendoi prokuroria dhe shoferi do të rrijë i paraburgosur deri sa situata të zgjidhet, ose Gjykata e Apelit të marrë një vendim ndryshe”, tha avokati Gramoz Lika.
Megjithatë gjykata nuk i mori në konsideratë argumente duke e lënë në qeli. Gjithashtu shuma e 522 mijë euro ndodhet në sekuestro.
U kap me 522 mijë euro në autobus! Gjykata kyç në qeli biznesmenin