Pezullohet nga detyra drejtori i policisë së Vlorës, Elidon Çela, për shkak të protestave dhe përleshjeve të qytetarëve me forcat e policisë këtë të shtunë në Zvërnec të Vlorës.
Dyshohet se pezullimi nga detyra i Çelës ka ardhur si pasojë e një raportimi të gabur duke thënë se një qytetar ishte futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, ku sipas policisë kishte ndodhur e kundërta.
Ndërsa drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me anë të një postimi zyrtar në facebook kërkon ndjesë publike për raportimin e gabuar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, lidhur me qytetarin.
Përleshjet në Zvërnec/ Policia: Ndjesë! Qytetari s’është futur brenda kantierit të ndërtimit!
Njoftimi i policisë
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon ndjesë publike për raportimin e gabuar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, lidhur me qytetarin, që në fakt nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, sikundër është raportuar.
Në këto rrethana dhe pavarësisht se në të gjithë pjesën tjetër komunikata e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë është korrekte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast.









