Policia e shtetit nuk ka asnjë person të arrestuar për vrasjen e Briken (Skerdilajd) Sanajt mbrëmjen e së dielës te “Kodra e Diellit” në Tiranë, zonë e njohur për sigurinë, pasi jetojnë politikanë dhe biznesmenë të njohur.
Dyshimet janë disa dhe pistat dy; hakmarrje e vjetër ose konflikt për larje hesapesh nga veprimtari jashtë vendit. Por gjithçka rezulton se është përgatitur për dy javë. Fiks 14 ditë. Briken Sanaj është futur në Shqipëri në datë 16 Tetor dhe në 30 Tetor u ekzekutua.
Erdhi nga Italia me familjen për martesën e shokut të ngushtë në Lezhë. Brenda këtij harku kohor prej momentit që vrasësit morën njoftimin se zbriti në Rinas nisën thurjen e planit që e finalizuan në 30 Tetor në mbrëmje sapo mbaroi dasma.
Shënjestra e autorëve u kthye nga Lezha bashkë me dhëndrin dhe nusen. Çifti i sapo martuar u fut i pari në kompleks më pas familja e Sanajt. Vetë ai u qëllua me tre plumba për vdekje.
Dyshimet janë se mund të ketë pasur informacion nga brenda mbi qëndrimin e tij në Tiranë dhe faktin që pas dasme po kthehej, pasi killerat po e prisnin në hyrje të rezidencës. Skuadra e vrasësve dyshohet se ka qenë e përbërë nga katër persona.
Vëzhguesi, ekzekutuesi, shoferi që e largoi nga “Kodra e Diellit” dhe personi tjetër që i priste në Kashar ku lanë makinën që përdorën për vrasjen dhe u arratisën me një tjetër.