Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) nuk ka marrë përsipër përgjegjësitë policore në veri të Kosovës, pavarësisht që këshillarët e lartë policorë të këtij misioni janë të vendosur në Drejtorinë Rajonale policore në veri.
Kështu thuhet në një përgjigje të këtij misioni për Radion Evropa e Lirë.
“Këshilltarët e lartë policorë të EULEX-it janë të vendosur në Drejtorinë e Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut dhe po ofrojnë këshilla për këtë drejtori dhe katër stacionet policore nën komandën e saj për një numër çështjesh që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve policore”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ky mision thotë se ka rritur patrullimet në veri të Kosovës.
“Njësia e formuar e Policisë së EULEX-it, e përbërë nga 105 policë polakë, ka shtuar më tej patrullat e saj të lëvizshme të zbulimit në veri të Kosovës për të rritur vetëdijen për situatën”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.
“Nëse është e nevojshme, Misioni mund të vendosë një njësi policore shtesë, të formuar nga rezerva, për të rritur më tej numrin e forcave të saj në terren dhe kapacitetin operacional”, theksohet në përgjigje.
Po ashtu, EULEX-i thotë se është duke e monitoruar nga afër situatën për Prokurorinë dhe Gjykatën Themelore në Mitrovicën e Veriut.
Më 5 nëntor, përfaqësuesit e serbëve ofruan dorëheqjen nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.
Policia e Kosovës ka konfirmuar përmes një komunikate se ka pasur paraqitje të dorëheqjeve në veri.
Largimet nga institucionet e Kosovës ndodhën pasi Qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi zbatimin e planit prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës.