Plani franko-gjerman i publikuar nga rrjeti mediatik Euroactiv, konsiderohet si shpërblim për Beogradin për përshkallëzim të situatës. Nga ana tjetër, edhe presion mbi Prishtinën. Kështu mendon Kurt Bassuener, nga organizata ndërkombëtare Këshilli për Politikën e Demokratizimit, me seli në Berlin.
Bassuener tha për REL se qëllimi i këtij plani është të mos insistohet në njohje reciproke mes dy vendeve. Ai e ka cilësuar këtë plan si diskriminues ndaj Kosovës. Ndërsa ka thënë se është edhe ndër faktorët kryesorë për situatën e tensionuar në veri të Kosovës.
Kosova nisi më 1 nëntor zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme. Masë kjo, përkundër insistimit nga komuniteti ndërkombëtar për shtyrjen e këtij plani. Në shenjë proteste, serbët e veriut, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.
‘Mendoj se, në themel, ai artikull tenton ta paralajmërojë Serbinë të mos e kalojë kufirin në veri të Kosovës. Nuk e shoh këtë as si njohje implicite të Kosovës. Ka elemente të tjera në atë plan franko-gjerman që janë mbështetur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo që m’u duk interesante për planin është mënyra se si është në kundërshtim me deklaratat që bëri kancelari Scholz.
Unë frikësohem se zgjidhja e kësaj do të jetë që Qeveria e Kosovës të tërhiqet. Po ashtu edhe të përmbahet nga zbatimi i vendimet për regjistrimin e veturave. Nëse është kështu, dhe kështu më duket mua, do të ishte pikë së pari një shpërblim për përshkallëzimin e shkaktuar nga Serbia.
Gjithashtu, do të ishte një shenjë diskriminimi nga politikat perëndimore drejt tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor, sepse po i jep të drejta palës së fuqishme dhe po i bën presion palës më të dobët me qëllimin për të arritur një marrëveshje çfarëdo për ta qetësuar situatën.
Kam frikë se ky është qëllimi i Berlinit, Parisit, Uashingtonit dhe Brukselit, dhe se ata e shohin zgjidhjen e kësaj krize në një mënyrë që… së pari, ta shtyjnë Prishtinën të heqë dorë nga zbatimi i vendimit për targa dhe, së dyti, t’i bëjnë presion Prishtinës për t’i pranuar kushtet e kësaj marrëveshjeje që do të ishte praktikisht një tërheqje nga qëllimet e deklaruara më herët.
Termi i përdorur në dokumentin e publikuar është “normalizim” e jo “njohje”, që përfshihet edhe në kapitullin e 35-të të negociatave të Serbisë për anëtarësim në BE. Implikimet kanë qenë gjithmonë në drejtim të njohjes reciproke ndërmjet dy vendeve, që është politika që po përkrahet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.‘, thotë eksperti.









