Kryeministri hungarez, Viktor Orban u vendos në presion për të kërkuar falje pas postimit të një videoje ku ai shihet në një ndeshje futbolli me një shall ku paraqitet harta e Hungarisë historike e cila përfshin pjesë të Ukrainës dhe vendeve të tjera fqinje.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko u shpreh të martën se Kievi do ti bëjë thirrje ambasadorit e Hungarisë, i cili do të informohet për aktin e papranueshëm të kryeministrit hungarez.
Ministria e Jashtme e Rumanisë gjithashtu u përgjigj me zemërim, duke thënë se i kishte paraqitur ambasadorit hungarez në Bukuresht mosmiratimin e fortë në lidhje me gjestin.
Në një postim në Facebook, Orban u shpreh se futbolli nuk është politikë, duke shtuar që të mos lexohen gjëra të cilat nuk janë të vërteta.
Sipas The Guardian, kryeministri hungarez ka provokuar rregullisht vendet fqinje duke iu referuar territorit të Hungarisë para Luftës së Parë Botërore.
Të dy vendet janë përplasur në mënyrë të përsëritur vitet e fundit pas miratimit të ligjit ukrainas për kufizimin e përdorimit të gjuhëve të pakicave në shkolla.
Ligj i cili prek rreth 150 mijë hungarezë të cilët jetojnë ne Ukrainë. Hungaria e quan këtë ligj si kufizim i të drejtave të hungarezëve që jetojnë në Ukrainë për të përdorur gjuhën e tyre amtare, veçanërisht në arsim.