Dalin pamjet e papublikuara më parë të tunelit prej rreth 10 metrash të hapur nga autorët e grabitjes së dështuar të bankës së nivelit të dytë në kryeqytet, në Shkurt të këtij viti.
Hetimet e zhvilluara, shtynë hetuesit se për krijimin e këtij tuneli personave ende të paidentifikuar u janë dashur disa javë.
Tv Klan raporton se provat e shumta dhe gjurmët e administruara, nuk kanë ndihmuar policinë në zbardhjen e asaj ngjarje.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se nga analizimi i tyre, prokuroria dhe policia nuk ka gjetur përputhje me asnjë prej personave të skeduar që kanë në databazë uniformat blu.
Sakaq mësohet se nga analizimi i qindra orë filmime të kamerave të sigurisë nga ana e hetuesve, nuk është fiksuar asnjë person të dalë nga kanalet e nëndheshme të Bulevardit Zogu i Parë.
Nisur nga këto verifikime, uniformat blu nuk përjashtojnë mundësinë që autorët e grabitjes së dështuar të jenë future në këto kanale, përmes ndonjë prej tuneleve ende të pazbuluar nga policia.