Një 61-vjeçar është arrestuar ditën e sotme, pasi ai këmbente para në mënyrë ilegale.
Policia ka bërë me dije se janë sekuestruar rreth 2 000 000 lekë të rinj dhe 15 000 euro, që kambisti kishte përfituar në mënyrë të paligjshme. Ai akuzohet për fshehje të ardhurash.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, në vijim të kontrolleve, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ekonomike dhe vënien e autorëve të tyre, përpara përgjegjësisë ligjore, në vijim të operacionit policor të koduar “Informaliteti”, konstatuan dhe goditën një rast tjetër të fshehjes së të ardhurave dhe të informalitetit.
Si rezultat, u arrestua shtetasi F. M., 61 vjeç, banues në lagjen nr. 4, Durrës, për veprat penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, pasi u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në rrugë, duke ushtruar veprimtarinë si kambist, pa licencën përkatëse,” ka njoftuar policia.