-sidi education-spot_img
17.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Vrasje, rrahje, drogë, grabitje dhe tradhti! Episodet që po njollosin policinë që (s) duam

Kryesoret

Shumë efektivë të policisë së shtetit janë përfshirë në episode dhune, rrahje, droge, kërcënimesh por edhe grabitjesh. 64 efektivë policie janë përjashtuar vetëm këtë vit, 14 prej tyre në dy muajt e fundit, kur në krye të policisë u vendos, Muhamet Rrumbullaku, që do të thotë se pavarësisht emrit që ikën dhe vjen situata është e njëjtë.

Policia e shtetit thuajse nuk ka javë që të mos njolloset. Dje në Tiranë u arrestuan dy policë, njëri prej tyre i rendit dhe tjetri i bashkiakes. Të arrestuarit janë Serxhio Cani 23 vjeç, punonjës i Patrullës së Përgjithshme dhe polici bashkiak Sajmir Muzikanti 39 vjeç.

Policia i akuzon se grabitën disa të rinj të cilët konsumonin po kanabis. Policët pasi dilnin nga Liqeni Artificial dhe i pikasnin i kërcënonin se nëse nuk paguanin do të shkonin pas hekurave.

Por ky është rasti i fundit i një serie të gjatë pa fund. Në mesjavë u përjashtuan 7 efektivë në Berat për përfshirje në rastin e zbulimit të serës me kanabis në fshatin Kutalli.

Pak ditë më parë u përjashtua 27-vjeçari, Klisman Nikolli me detyrë oficer patrulle në Postën e Policisë Shëngjin, i cili u arrestua në Itali. Në 16 Tetor, një tjetër efektiv, i Policisë Rrugore Florenc Bicerri u arrestua në Turqi pasi u kap në një parking në Stamboll me një sasi të konsiderueshme lënde narkotike e dyshuar kanabis.

Jo vetëm grabitje dhe drogë, por edhe dhunë. Në 8 nëntor të po këtij viti u shkarkua nga detyra dhe u përjashtua menjëherë nga radhët e policisë, shefi i komisariatit të Pukës, Pjerin Lazri, pasi kërcënoi dhe rrahu një qytetar. Edhe në Pogradec u shënua një rast dhunë, ku një efektiv goditi qytetarin dhe më pas u përjashtua.

Por nuk kanë qenë vetëm tre muajt e fundit të ngjeshur me episode të tilla. Përkundrazi, janë kulmimi. Ngjarja me e rëndë u shënua në gusht në jug ku shefi i policimit në Elbasan, oficeri i policisë komisar Arjan Tase përplasi me skaf për vdekje një vogëlushe që po bënte plazh me prindërit.

Akuza për vrasje kundër policisë ka pasur edhe për rastin e Lear Kurtit pak javë më parë në “Don Bosko” por nga ekspertiza rezultoi se i riu vdiq nga mbidoza. Në këtë shkrim janë përfshirë vetëm një pjesë e ngjarjeve të këtij viti pa kaluar te rastet kur u vra Klodian Rasha në 2020, apo kur efektivi Arbër Sula vrau Jurgen Dukës në 2021 në Tiranë.

Jo vetëm qytetarët, por policët kanë vrarë edhe njëri tjetrin. Në 23 maj të këtij viti brenda komisariatit nr. 3 polici Ludian Zaimi 38-vjeç qëlloi disa herë me armë Çaush Saliasin, 55-vjeç, i cili ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.

Nuk kanë munguar edhe tradhtitë dhe dekonspirimet nga brenda. Kulmi ishte zbulimi i rastit të Jeton Lamit, që shëtiste me makinë Ervis Martinajn, në vend që ta arrestonte. Pavarësisht ndryshimeve në kupolën dhe drejtimin e policisë së shtetit, problemi vazhdon dhe duket se është rrënjosur thellë.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit