-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ervin Qafmolla: Pas targave, Kurti nis manovrat për Asociacionin

Kryesoret

Shpërthimi i Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç kundër Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Bashkimit Europian, krahas vendimit për të bojkotuar Samitin BE-Ballkani Perëndimor më 6 dhjetor në Tiranë, shënon një gur kilometrik domethënës në dialogun Kosovë-Serbi.

Ky reagim ndjek vendimin e Albin Kurtit për të emëruar si Ministër për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, kryetar i Partisë Demokratike Progresive, një forcë e vogël politike e serbëve lokalë. Ndërsa si këshilltare e këtij të fundit, u emërua Rada Trajkoviç, kryetare e partisë së dytë në garë, pas Listës Serbe të kontrolluar nga Beogradi.

“Ata duan përndjekjen, dëbimin dhe zhdukjen e serbëve në Kosovë”, tha Vuçiç, duke shprehur indinjatën se përse Bashkimi Europian nuk i kishte dhënë përgjigjen e duhur këtij “llumi terrorist”, siç e quajti ai Albin Kurtin. Duke akuzuar Brukselin për mosveprim ndaj ngjarjes, Vuçiç tha se qeveria e Kosovës ka shkelur “Marrëveshjen e Brukselit, të drejtën ndërkombëtare dhe çdo normë demokratike”.

Ky zhvillim përbën një trajektore e re, me zanafillë te përplasja për targat, e cila kulmoi me një dorëheqje masive të serbëve nga praktikisht të gjitha institucionet e Kosovës, përfshi policinë, gjyqësorin, komunat dhe vetë parlamentin. Në legjislativ, serbët e Kosovës përfaqësoheshin nga Lista Serbe, e cila kishte fituar 10 mandatet e rezervuara për këtë komunitet.

Bashkë me dorëheqjen si deputet i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, kryetari i kësaj partie, Goran Rakiç, u dorëhoq automatikisht edhe nga posti i Ministrit për Kthim dhe Komunitete. Në vend të tij, Kurti emëroi Nenad Rashiç, i cili nuk ka vota të mjaftueshme për të marrë një mandat në parlament, dhe që në fjalët e Vuçiçit, është njeriu “që fitoi më pak se 1 për qind” në zgjedhje.

Lista Serbe e denoncoi këtë emërim, duke thënë se Kurti kishte shkelur Kushtetutën e Kosovës. Edhe Bashkimi Europian, ditën e premte, shprehu kritika mbi këtë vendim, përmes zëdhënësit Peter Stano. “Është shumë e rëndësishme që të gjitha emërimet e ministrave të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. U bëjmë thirrje autoriteteve në Kosovë që të sigurojnë respektimin e Kushtetutës. Sipas leximit tonë paraprak, ky emërim nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha Stano.

Arsyet mund të jenë të ndryshme, dhe disa prej tyre produkt i hamendësimeve të informuara. Por nëse merren parasysh vetëm faktet dhe rrethanat e dokumentuara, vendimi i Kurtit për emërimin e ministrit jashtë radhëve të deputetëve të zgjedhur, ndodh në një kontekst kur edhe pse u ra dakord që Prishtina të tërhiqet nga vendimi për targat, sërish serbët nuk po tregojnë vullnet të kthehen në institucione.

“Për kthimin e serbëve në institucione është përmbushur kushti i parë [për targat], por mbetet i dyti, formimi i një bashkësie të komunave serbe”, tha Vuçiç pas arritjes së marrëveshjes së fundit në Bruksel. Kjo deklaratë u komentua në Kosovë si arsyeja e radhës që Beogradi po përdor për të kushtëzuar dialogun, duke imponuar themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Vendimi i Kurtit për të emëruar një ministër nga radhët e pakicës serbe, por përmes një procedure që me gjasë nuk pajtohet me Kushtetutën e Kosovës, mund të vështrohet në marrëdhënie me kërkesën e përsëritur për themelimin e kësaj bashkësie, për 23 pika të së cilës, Gjykata Kushtetuese është shprehur që nuk janë në pajtim me kushtetutën.

“Pas shkeljes së vazhdueshme të Marrëveshjes së Brukselit, Albin Kurti tregoi edhe një herë se ai nuk i respekton as aktet ligjore të Prishtinës kur ato janë në interes të popullit serb”, tha Lista Serbe përmes një deklarate. Ata iu referuan Nenit 96, pika 5, ku flitet për emërimin e anëtarëve të qeverisë nga pakicat, në rastin kur personat e emëruar nuk janë deputetë.

“Nëse caktohen kandidatë jashtë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për këta ministra e zëvendësministra kërkohet miratimi formal i shumicës së deputetëve të Kuvendit, të cilët u përkasin partive, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin në fjalë”, shkruhet në Kushtetutën e Kosovës.

Lista Serbe, e cila kontrollohet nga Beogradi, deklaroi se do ta ankimojë këtë vendim në Gjykatën e Kushtetuese të Kosovës, e cila “duhet të konfirmojë pa vonesë se kjo është një shkelje e kushtetutës dhe shkelje e të drejtave të serbëve”.

Por, Beogradi nuk e njeh Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, sikurse as kushtetutën e vendit. Disa muaj më parë, duke folur mbi gjykimin e këtij institucioni mbi mospërputhjen e Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe me disa pjesë Kushtetutës së Kosovës, presidenti serb rikonfirmoi këtë qëndrim: “Pse na intereson çfarë shkruhet në kushtetutën e tyre, të cilën ne nuk e njohim?”

Mediat dhe analistët në Kosovë kanë argumentuar se sipas gjasave, një gjykim i kushtetueses mbi rastin, do t’i jepte të drejtë Listës Serbe. Por më shumë sesa gjykimi mbi të, është vetë rasti që përmban rëndësi simbolike dhe implikime mbi Dialogun Kosovë-Serbi. Duke kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, Lista Serbe e kontrolluar nga Beogradi, automatikisht do të pranonte meritën ligjore të gjykatës dhe të kushtetutës së Kosovës.

Ky veprim mund të ketë efekte në një rrafsh më të gjerë dhe për çështje krejt të ndryshme. Sepse e njëjta gjykatë që duke gjykuar mbi të njëjtën kushtetutë, tha se Marrëveshja për Asociacionin është jokushtetuese. Por këtë gjykim nuk e njohin as Beogradi dhe as Lista Serbe.

Si rrjedhojë, Albin Kurti dhe të tjerë në Kosovë mund të argumentojnë se kur fjala vjen të Kushtetuta, në dialogun me Serbinë duhet të mbahet vetëm një standard: ose e njohin kushtetutën, ose nuk e njohin. Në këtë mënyrë, Prishtina mund të ketë një argument më të fortë për rishikimin e marrëveshjes së asociacionit në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Kjo përplasje e re ka nisur në një kohë kur Kosova dhe Serbia pritet të gjejnë zgjidhje afatgjata dhe të normalizojnë marrëdhëniet në kuadrin e të ashtuquajturit Plan Franko-Gjerman. Ndërmjetësit e dialogut Kosovë-Serbi nuk e dëshirojnë një përshkallëzim të radhës, teksa serbët vijojnë të qëndrojnë jashtë institucioneve të Kosovës, përjashto pjesëmarrjen simbolike dhe me gjasa jokushtetuese të Nenad Rashiç dhe Rada Trajkoviç.

Për momentin, askush nuk ka një parashikim mbi të ardhmen e afërt. Deklarata e dytë e BE-së, e cila është haptazi kritikuese ndaj veprimit të Albin Kurtit, ka pak gjasa ta kthejë presidentin serb drejt samitit që do të mbahet në Tiranë.

Gjatë bisedimeve në Bruksel për çështjen e targave, nga buroi edhe ky degëzim i ri i konfrontimit të vjetër mes Prishtinës dhe Beogradit, Presidenti i Serbisë publikoi një foto në Instagram, ku ai paraqitej duke luajtur shah. Diçitura ishte: “Ndërsa presim përfundimin e bisedimeve…”. Tani, bisedimet nuk dihet se kur do të rifillojnë, ndërsa lëvizja e radhës i takon Aleksandër Vuçiç.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit