Pak pas shtimit të forcave në veri të Kosovës, një grup personash të maskuar dhe të armatosur kanë sulmuar patrullën e efektivëve ku për pasojë mbeti i plagosur një polic.
Polici mori dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rreziku për jetën.
Gjendja shëndetësore e policit është stabël dhe jashtë rreziku për jetën, por mjekja e tij zbulon se efektivi është goditur me një plumb në kraharor dhe e ka ende në trup.
Si rrjedhojë, polici është transferuar nga spitali i përgjithshëm i Mitrovicës në klinikën e Kosovës (QKUK).
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se vendimi i policisë për të shtuar praninë e saj në veri, ka për qëllim sigurimin e qytetarëve.
Sipas shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, policia e Kosovës nuk ka të drejtë të shkojë në veri dhe se Serbia do të dërgojë 1 000 forca sigurie në Kosovë.
Policia e Kosovës njoftoi mbrëmë se, njësitë që ishin në detyrë “janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë gri, me targa KM.
Duke raportuar nga vendi i ngjarjes, persona të maskuar kanë sulmuar edhe gazetarë të medias së Kosovës. Nga sulmi nuk janë raportuar të lënduar.
Ngjarja ndodhi gjatë natës në Mitrovicë, përkatësisht në Lagjen e Boshnjakëve, e cila së fundmi ka rënë pre e disa shpërthimeve me bomba të një pas njëshme.
Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti sulmet në veri të vendit erdhën nga banda kriminale të cilat paguhen dhe drejtohen nga Presidenti Serb, Vuçiç.
Të forta qenë edhe reagimet e presidentes, Vjosa Osmani e cila u shpreh se ky sulm erdhi nga Serbia me qëllim destabilizimin në Ballkan.
Më tej, Osmani komentoi edhe prezencën e Serbisë në samit si dhe dialogun e Prishtinës me Beogradin.
Për presidenten e Kosovës, Vuçiç ka një sjellje “dramatike” me ndërkombëtarët kjo u duk edhe në vonesën për konfirmimin e tij në pjesëmarrjen në samit, e më tepër në qëndrimet pro-ruse dhe anti-evropiane.
Osmani shtoi se qëndrimi i Serbisë ndaj Federatës Ruse është tregues i qartë i klimës së Beogradit në politikën e jashtme e cila i ka antenat nga Moska.