Qeveria greke reagoi ashpër të hënën pasi Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kërcënoi gjatë fundjavës se do të godiste Athinën me raketa balistike.
“Zoti Erdogan duhet ta dijë mirë se vendi ynë nuk mund të terrorizohet dhe as të frikësohet,” tha zëdhënësi i qeverisë greke, Giannis Oikonomou gjatë një konference shtypi në Athinë.
Greqia, tha zoti Oikonomou, “është absolutisht e vendosur, është gjithmonë e përgatitur, e gatshme, të mbrojë ligjshmërinë ndërkombëtare, të mbrojë sovranitetin dhe të drejtat e saj sovrane.”
Ai shtoi se “sado të këmbëngulë zoti Erdogan në shtrembërimin e realitetit dhe në retorikën provokuese, të gjitha këto kërcënime dhe lëvizje të tij janë një rrugë pa krye.”
Duke folur gjatë një takimi me të rinj në qytetin verior turk të Samsunit të shtunën, presidenti Erdogan tha se Turqia ka filluar të prodhojë raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi të quajtura “Tayfun”, diçka që siç tha ai “po frikëson grekët”./VOA









