Policia në Bahama ka arrestuar Sam Bankman-Fried, themelues i kompanisë për këmbimin e kriptovalutave FTX, tha prokurori i përgjithshëm i këtij shteti.
Ai pritet që të dalë të martën para një gjykate në kryeqytetin e këtij shteti të Karaibeve, Nasau.
Policia tha se Bankman-Fried u arrestua për “shkelje financiare” kundër ligjeve në Shtetet e Bashkuara dhe Bahama.
Muajin e kaluar FTX shpalli falimentimin në SHBA, duke pamundësuar që shumë përdorues të kësaj kompanie të tërheqin fondet e tyre.
Sipas një dosjeje gjyqësore të paraqitur në gjykatë muajin e kaluar, kompania FTX u detyrohej 50 kreditorëve të saj më të mëdhenj afër 3.1 miliardë dollarë.
Është e paqartë se si personat që kanë fonde në këtë kompani do të mund t’i marrin ato në fund të procedurave të falimentimit. Megjithatë, shumë ekspertë kanë paralajmëruar se kreditorët do të mund të marrin një pjesë shumë të vogël të shumës së depozituar.
FTX u ka lejuar klientëve që të këmbenin para normale për kriptovaluta, sikurse Bitcoin.
Bankman-Fried më herët është parë si një version i ri i investitorit legjendar amerikan, Warren Buffett, dhe deri në fund të tetorit ai kishte pasuri neto më shumë se 15 miliardë dollarë.
Ai ishte bërë i famshëm në Uashington si donator politik, që supozohet se ka mbështetur parandalimin e pandemisë dhe përmirësimin e rregullave për kriptomonedhat.
“Më herët gjatë kësaj mbrëmjeje, autoritetet në Bahama arrestuan Samuel Bankman-Fried në bazë të kërkesës së Qeverisë amerikane, bazuar në një akuzë të mbyllur për publikun të qarkut jugor të Nju Jorkut. Ne presim që të zbardhim këtë aktakuzë në mëngjes dhe do të kemi më shumë detaje atëherë”, tha zyra e Prokurorit të SHBA-së në Menhetën, përmes një postimi në Twitter./REL