Një operacion antidrogë është zhvilluar orët e kësaj pasditeje në Tiranë, si pasojë e të cilit ranë në pranga dy persona ndërsa raportohet se janë sekuestruar 2 kg kokainë.
Ky operacion mësohet se po vijon ende për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në trafikun e lëndës narkotike.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë/Transportonin 2 kg e 30 gramë kokainë, vihen në pranga 2 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre. Finalizohet operacioni i koduar “Furnizuesit”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës. Sekuestrohen 2 kg e 30 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 5250 euro, 120.00 lekë të rinj, një automjet dhe 3 aparate celulare.
Specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve të DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në inteligjencën informative, pas një pune të mirëfilltë hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Furnizuesit”.
Në kuadër të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Izmir Bahiti, 29 vjeç dhe Nertil Dalipi, 37 vjeç, të dy banues në Elbasan. Gjithashtu, u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi E. H.
Në rrugën “Mikel Maruli”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin me drejtues shtetasin N. D. dhe pasagjer shtetasin I. B. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën 2 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë rreth 2 kg e 30 gramë, të cilat u sekuesteuan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin, 5250 euro, 120.00 lekë të rinj dhe 3 aparate celulare. Vijon puna për kapjen e shtetasit E. H.