9 plumba i morën jetën biznesmenit që jetonte në Sarandë, Edmond Papës dhe tronditën sërish kryeqytetin. Që prej prej 30 tetorit, ku në zonën e Kodrës së Diellit mbeti i vrarë Briken Sanajt, (ngjarje kjo që u zbardh) dukej se Tirana kishte rënë në qetësi.
Qetësia zgjati diçka më shumë se një muaj ku krismat lanë viktimë në një nga kafet e Komunës së Parisit, 49-vjeçarin e sapo kthyer nga Anglia. E në fakt si për rastësi, ngjarja ndodhi vetëm pak orë pasi Tonin Vocaj, mori detyrën e drejtimit të Policisë së Tiranës, e ky i fundit mbrëmë u pa në terren për të hetuar vetë ngjarjen.
Por kush ishte biznesmeni për autoritet shqiptare?
Edmond Papa, rezultonte një emër “i pastër” për policinë tonë. Ai zotëronte Blu Sky Hotel në Sarandë dhe disa prona të tjera në këtë zonë. Madje në “ditën e zezë” që plumbat i morën jetën, ai kishte ardhur në Tiranë për të takuar të vëllain, që jetonte në një banesë shumë afër vendit të ngjarjes. Por askush nuk të qëllon 9 herë “kot”.
Larje hesapesh? Sapo kishte ardhur nga Anglia, zbulohet e shkuara e biznesmenit
Papa dyshohet se është dënuar nga shteti grek për trafikim lëndësh narkotike, dhe jo vetëm kaq por dyshohet se këtë aktivitet ai e ka vazhduar dhe në Angli.
Të paktën në këto dy pista po heton policia, atë të prishjes së pazareve të drogës dhe konfliktin e pronave në bregdet.
Por si ndodhi ngjarja?
Papa sapo kishte parkuar makinën e tij Mercedes Benz G-Class dhe po futej në ambiente e kafenesë kur një person i maskuar me kapuç dhe i veshur me të zeza ka hyrë në brendësi të lokalit dhe e ka qëlluar disa herë me pistoletë.
Lëvizte me “G-Class”! Çfarë fshihte biznesmeni që u ekzekutua në Tiranë? (FOTO)