Mediat greke vijojnë të nxjerrin në dritë detaje të reja nga vrasja e dy shqiptarëve në Athinë. Protothema shkruan se bashkëpunëtori i autorit të vrasjes e ka lënë të armatosurin e maskuar 200 metra larg kafenesë në sheshin e “Nea Smyrni”, ku mbrëmjen e së dielës, 18 dhjetor, qëlloi me armë zjarri dy shqiptarët Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organja duke i lënë të vdekur dhe plagosi një grua.
ANT1 ka publikuar një video të re me autorin që qëlloi dhe vrau dy personat në kafene. Në video, autori i dyshuar shihet duke u futur në një motoçikletë të drejtuar nga bashkëpunëtori i tij. Këto janë pamjet e para ku shihet ekzekutori i “Nea Smyrni” me bashkëpunëtorin e tij.
Siç shihet edhe në videon e një kamere biznesi, dy personat ndalojnë 200 metra larg kafenesë ku ishin ulur dy viktimat e sulmit. Kur makina ndalon, njeriu me të zeza zbret dhe niset drejt kafenesë në shesh. Brenda dy minutash ai ka mbërritur në kafene ku ka qëlluar gjakftohtësisht dy burrat.
Më pas ai doli me vrap nga kafeneja duke lënë pas dy të vdekur dhe një grua të plagosur aksidentalisht nga një plumb. Edmond Papës iu hetua pasuria vite më parë, hetuesit “zhvendosen” në Greqi për vrasjen.
Në fakt, në video duket se bashkëpunëtori i vrasësit nuk e ka fikur motorin dhe duket sikur po e ndjek autorin deri në atë pikë sa do ta marrë pas ekzekutimit. Sipas burimeve policore, efektivët e Departamentit të Vrasjeve kanë grumbulluar një sasi të madhe video-materialesh dhe kanë dokumentuar arratisjen e dy të shpallurve në kërkim.