Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj thuajse një dekadë pasi la detyrën është rikthyer që të flasë për strukturën që drejtoi dhe u dorëzoi socialistëve në vitin 2013 kur erdhën në pushtet. Në një intervistë të gjatë për “5pyetjet.al” ai tregon brengën nga përplasja me ish-ministrin e Brendshëm, asokohe Saimir Tahirin, njohjen me drejtuesin aktual, Muhamet Rrumbullaku, problemet e strukturës, ndërhyrjet politike, goditjen e Sali Berishës, largimin e Gledis Nanos, zhdukjen e Ervis Martianjt, etj.
Intervista te “5pyetjet.al”! Ish-drejtori i policisë: Si e kam njohur Vis Martinajn 10 vite më parë
Intervista e plotë e Hysni Burgajt te “5pyetjet.al”
Zoti Burgaj çfarë ndryshimi shikoni në policinë e shtetit nga koha që ju ishit drejtues në 2013?
Sigurisht që ndryshim ka, por problemi është nëse është progres apo regres.
Ju mendoni se ka regres?
Prej vitit 2013 policia ka vuajtur shumë dhe më vjen shumë keq për ato që ka kaluar. U përfshi shumë keq në veprimtari kriminale dhe kjo ka qenë gjëja më e rëndë dhe do shumë kohë për t’u rikuperuar.
Ju e keni fjalën për 2016-tën?
Pikërisht! Dhe do vite për t’u rikuperuar. U bënë disa përpjekje nga zoti Nano, shpresoj që të bëhet më shumë nga zoti Rrumbullaku nëse e lë politika.
Ju e njihni zotin Rrumbullaku….
Po, sigurisht.
Besoni se ai do ta arrijë këtë?
E kam pasur bashkëpunëtorin më të ngushtë në të gjithë aktivitetin tim. Besoj te figura dhe ndershmëria e tij për të arritur sukses në polici.
Në dekadën e fundit, problem ka qenë politika, drejtuesi, apo faktorë të tjerë?
Nuk është thjeshtë drejtuesi, por politika. Ndërhyrjet politike nuk e lënë të ecë përpara. Kjo është e evidentuar. Po të shikoni edhe emërimet e fundit të zotit Rrumbullaku nuk ishin të tijat. Ndërhyn politika.
Pra nuk i kanë lënë dorë as te emërimet?
Jo, nuk i kanë lënë. Ai është drejtues me përvojë në polici, bashkëpunëtor shumë i mirë, por do të jetë e vështirë, pasi ndërhyrjet politike e dëmtojnë shumë policinë. E konstatova në një rast. Në deklaratën për protestën e 6 Dhjetorit, ku u godit zoti Berisha.
Deklarata m’u duk jo e zotit Rrumbullaku, sepse tentoi ta quajë thjeshtë deputet zotin Berisha (si politika dhe ambasadorja amerikane), do të ishte shumë më e udhës të paktën t’i thoshte zoti Sali Berisha. Duke thënë këtë eliminonte edhe atë që e quajnë thjeshtë deputet, kur ai ka qenë ish-president, ish-kryeministër, etj.
Ndalur te kjo, ju mendoni se sulmi ka qenë me prapavijë?
Kjo është çështje në hetim dhe nuk mundem të them. Dua të ndalem në një fakt, nëse ishte një njeri jo normal, me kartelë, duhet të ndalej kur u tërhoq. Sepse në momentin që dikush e tërhoqi, para se të godiste zotin Berisha, ai normalisht duhet të merrej me atë që i doli përpara, por mënyra si veproi më pas tregoi se ai kishte pasur objektiv të qartë, ku do të shkonte. Këtë e tregon edhe pozicioni me grushtin gati. Prandaj nuk mund ta quaj njeri anormal dhe ngjarje rastësore.
Këtë vit, por sidomos në ditët e fundit ka pasur shumë ngjarje që kanë njollosur policinë e shtetit, ku është problemi?
Mendoj se edhe rekrutimet janë bërë politike. E dyta më erdhi mirë kur zoti Nano tentoi të hapte një proces për testimin për drogë, që dështoi. Është fatkeqësi por ekziston në përmasa, nuk është fare normale që efektivë policie janë kthyer në përdorues droge.
Si e gjykoni largimin që i bënë zotit Nano nga posti i drejtorit në këtë mënyrë duke e nxjerrë në rrugë?
Është një pikë e ligjit e lënë me qëllim që politika të përdorë, të shkarkojë menjëherë drejtorët e policisë sepse nuk duan polici të pavarur. Më thoni një rast nga të gjithë, që një drejtor të ketë përfunduar mandatin 5 vite? Në asnjë rast. Ne jemi i vetmi vend në botë që ndodhin këto. Nëse doni nuk shkojmë shumë larg, por marrim edhe shembullin e Kosovës, ku nuk shkarkohen kurrë drejtues pa përfunduar mandatin.
Cilat ishin arritjet më të mëdha të punës suaj në krye të policisë?
Të paktën dy gjëra që ndihem shumë komod, liberalizimi i vizave në 2010 për të gjithë shqiptarët shqiptarë. 70% e pyetësorëve ka pasur të bëjë me policinë e shtetit. E dyta sipas raportit të DASH në 2012 Shqipëria doli nga harta e tranzitimit të drogërave të forta. E treta, kënaqësi e imja personale, Interpol Tirana në VITIN 2012 doli i treta në botë për kapjen e personave në kërkim, nga 185 vende. E katërta inkriminimi i policisë ka pasur raste shumë të rralla. Policia ka punuar me përkushtim. Besimi në publik ka qenë shumë herë më i madh. Lufta kundër drogës dhe trafiqeve kanë qenë prioritet.
Gjatë kohës suaj si drejtues i policisë, kujtoni diçka, ndonjë episod në lidhje me Ervis Martinajn, duke qenë se që atëherë ka qenë biznemen i njohur në fushën e basteve sportive?
Të them të drejtën unë si person nuk e kam njohur fare dhe nuk është se më ka dalë atëherë emri i tij. Nuk mbaj mend që të ishte problematik. Në 2013 pas ikjes sime, ka ndodhur një konflikt te Tirana e Re. Por vetë si drejtoj nuk e kam fiksuar fare. Kjo (zhdukja) është një ngjarje e rëndë, që do përgjigje se çfarë ka ndodhur.
Aty janë tre pista, nuk mund të them se cili qëndron më shumë. Përderisa ka pasur edhe një kontroll tjetër (te shtëpia) gjithçka ekziston. Kjo është një çështje e prokurorisë dhe policia do të bëjë punën që i ngarkon prokuroria, politika nuk ka vend për të ndërhyrë. Nuk bëhet puna me urdhra në polici. Llogari mund të kërkohet edhe nga kryeministri, por jo urdhra.
Thuajse një dekadë më pas, çfarë kujtoni nga përplasja me zotin Tahiri?
Dua të sqaroj diçka për ju dhe publikun sepse brenga më e madhe që më ka ngelur është kjo, meqë më ngacmove. Nuk e kam thënë kurrë, por meqë më ngacmove po e them. Ishte një marrëveshje xhentëlmenësh që nuk do të lëviznin drejtorët e policisë, asnjë nuk do të largohej nga puna sepse ia kam kërkuar në zyrë. Dhe u premtua se do të shtohen dy mijë efektivë policie. Do ristrukturojmë akademinë e policisë dhe nuk do të ketë asnjë largim. Duke marrë këtë premtim unë kam shkuar në zyrë. Por më kanë kërkuar në zyrë që duhet të ketë ndryshime drejtorësh, ministri i Brendshëm.
Jam konsultuar me stafin e ngushtë, i pari zoti Rrumbullaku. Të gjithë ata që kam pyetur më thanë “nuk kemi lindur drejtorë, jemi oficerë policie, por mos na luani gradat, nuk na intereson nëse na lëvizni në qarqe apo na çoni në akademi”. Unë nuk kam larguar asnjë nga puna, thjesht i kam transferuar.
Por fjala që u dha nga ministri nuk u mbajt, ishte tradhti nga ana e tij. Unë me miratimin e disave i lëviza nga drejtor qarqesh në akademi. Edhe pse premtimi i zotit Tahiri ishte se nuk do të kishte largime, por nuk u mbajt premtimi që nuk do ketë largime politike nga puna.
Në fakt u larguan 700 oficerë policie ‘shkurtim funksioni’ ndërkohë që u shtua organika me rreth 2000 efektivë!!! Ligji thotë mundet të ketë shkurtime funksioni e lirime vetem kur me vendim të Këshillit të Ministrave shkurtohet numri i përgjithshëm i policëve, por jo vetem nuk u shkurtua por u shtua me afërsisht 2000. E pashë që nuk mund të funksiononte kështu dhe bëra kërkesën për largim.
Sot Saimir Tahiri ndodhet pas hekurave…
Atij i qoftë rruga e mbarë, unë e kam kuptuar se atë drejtim do të kishte. Më vjen keq që implikoi keq policinë dhe futi një frymë të keqe që është shumë e keqe për ta rikuperuar.
Si vazhdoi jeta juaj pas 2013-tës?
Jam në pension të parakohshëm, trajtohem sa një qytetar i thjeshtë. Kam një biznes të vogël familjar dhe kalojmë si të gjithë qytetarët e tjerë me halle dhe probleme.
Problemet e policisë! Burgaj: Dy rastet kur Rrumbullaku lexoi dhe firmosi atë që i shkroi politika