Mediat britanike kanë zbuluar një skandal në radhët e agjencisë “Home Office”. “The Sun” shkruan se një zyrtar i Forcave Kufitare i ngarkuar me detyrën e ruajtjes së sigurisë së kufirit është pezulluar pasi është zbuluar se ka qenë emigrant i paligjshëm.
Zyrtari, sipas mediave nga Ballkani është arrestuar. “Të lejosh një emigrant të supozuar të paligjshëm të depërtojë në radhët e agjencisë suaj kufitare është mjaft e turpshme.
Me sytë e të gjithë vendit në Forcën Kufitare për momentin, kjo është gjëja e fundit që ata kanë nevojë” tha një zyrtar britanik për “The Sun”. Media britanike ngre dyshime se i arrestuari është shqiptar.
“Burri, që mendohet të jetë në fund të të 30-ave, mbërriti në Britaninë e Madhe vite më parë nga Ballkani. Hetimi përqendrohet në akuzat që ai gënjeu për vendin e tij të origjinës në dokumentet për të qëndruar në MB.
Në atë kohë, qindra të rinj shqiptarë erdhën në Britani duke pretenduar rrejshëm se ishin kosovarë për të fituar azil. Burri më vonë fitoi të drejtën për të qëndruar dhe punuar në MB. Ai kaloi kontrollet bazë të punësimit dhe të dosjeve kriminale dhe do të vazhdonte të punësohej në Forcën Kufitare.
Detyra e tij numër një ishte të “sigurojë kufirin e Mbretërisë së Bashkuar” me fokusin kryesor në ndalimin e migracionit të paligjshëm në Britani. Skandali vjen mes një krize kufitare që kërcënon të përfshijë qeverinë me Sekretaren e Brendshme Suella Braverman nën presion për të gjetur zgjidhje.
Më shumë se 45,000 emigrantë kanë kaluar Kanalin për në Mbretërinë e Bashkuar këtë vit vetëm me varka të vogla, një rritje prej 60 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Prej tyre, rreth 13,000 janë shqiptarë” shkruan “The Sun”.