Kosova është përballur me kriza të ndryshme gjatë vitit 2022. Viti filloi me krizë energjetike, pasoi kriza rreth kundërshtimit të serbëve të pjesës veriore për riregjistim të veturave me targa ilegale KM në targa të ligjshme RKS (Republika e Kosovës). Kriza më e madhe u rishfaq në komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq ku grupe të serbëve atje vendosën barrikada në rrugë. Këtu risjellim disa prej ngjarjeve kryesore që shënuan vitin 2022.
Vitin 2022 Kosova e nisi me paralajmërime për krizë energjetike. Meqë Kosova nuk arrinte ta plotësonte të gjithë kërkesën nga gjenerimi i brendshëm i energjisë elektrike, u obligua të importojë energji. Por, çmimet e importit u rritën aq shumë sa që në disa raste gjatë vitit 2022 pati edhe reduktime.
Reduktime pati edhe në mes të verës, pikërisht në muajin gusht. Dimri parashihej të ishte shumë i vështirë, por deri në fund të muajit dhjetor situata u menaxhua mirë pasi që edhe moti ishte i ngrohtë dhe nuk pati kërkesë të shtuar për energji elektrike.
Në muajin shkurt, Rusia nisi një pushtim ushtarak të Ukrainës. Lufta që filloi atje prodhoi efekte të dëmshme për ekonominë globale duke rritur çmimin e naftës, si dhe të shumë produkteve bazike. Edhe Kosova u prek nga kjo krizë.
Në muajt që pasuan, u rritën çmimet e naftës dhe të produkteve ushqimore. Në masë të madhe u rrit edhe çmimi i vajit. Në disa raste raftet e marketeve mbetën të zbrazëta pasi qytetarët blenë me shumicë nga frika se për shkak të luftës në urkainë do të mungonin këta artikuj ushqimorë në muajit që vinin.
Në muajin mars filloi rritja më e shpejtë e çmimeve në Kosovë. Çmimi i naftës filloi të rritet dhe në disa raste një litër naftë shkoi në gati 2 euro. Së fundi, situata është përmirësuar dhe ka rënie të dukshme të çmimit të naftës.
Muaji korrik ishte pozitiv për kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën. Këtë muaj hapi dyert një nga ngjarjet më të mëdha kulturore në Evropë, “Manifesta, Bienalja Evropiane Nomade”. Kjo bienale që zgjati 100 ditë, iu kushtua artit në hapësirat publike, por shërbeu edhe si urë komunikimi ndërmjet artistëve. Sipas organizatorëve, Manifesta solli në Kosovë më shumë se 100 mijë vizitorë të huaj.
Gushti e zuri ngushtë Qeverinë pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit e Kosovë (SBASHK) vendosi që të futej në grevë të përgjithshme. Drejtuesit e këtij organizimi sindikal thanë se po futeshin në grevë pasi kërkesat e tyre nuk po merreshin parasysh nga Qeveria. Greva zgjati më shumë se një muaj dhe mësimi filloi më 3 tetor.
Muaj më parë, Qeveria e Kosovës njoftoi se do të largonte nga qarkullimi veturat me targa ilegale si KM, PE, GL, UR etj.. që kryesisht mbahen nga serbët e pjesës veriore të Kosovës. Vendimi i Qeverisë së Kosovës nxiti tensione dhe u desh disa herë intervenimi i bashkësisë ndërkombëtare për ta qetësuar situatën.
SHBA-ja i kërkoi Qeverisë së Kosovës që të shtynte afatin për 10 muaj të tjerë në mënyrë që, sipas saj, qytetarët serbë të kishin më shumë kohë që t’i ndërronin targat. Por, Qeveria e Kosovës nuk e pranoi këtë kërkesë.
Megjithatë, më vonë u arrit një marrëveshje në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të dalë nga situata. Serbia detyrohet të mos lëshojë më targa të reja për serbët e Kosovës, ndërkohë Qeveria e Kosovës hoqi dorë nga afati për riregjistrimin e automjeteve në RKS. Derisa institucionet e Kosovës bënë përpjekje për ta zbatuar këtë vendim, më shumë se 10 vetura u dogjën në veri, pasi paraprakisht kishin regjistruar veturat në targa të ligjshme RKS.
Vendimin për targat në veri refuzoi ta zbatonte drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Nend Gjuriq. Ai u suspendua nga puna dhe ky vendim nxiti largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.
Në muajin nëntor, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – vendosi të largohet nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që serbët të largohen nga Gjyqësori, Policia si dhe nga administrata në katër komunat në veri”, tha kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në një takim që u zhvillua më 5 nëntor.
Një lajm pozitiv që u shënua në nëntor, ishte konfirmimi i liberalizimit të vizave për Kosovën. Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.
Muaji i fundit i vitit nisi me një lajm të rëndë. Në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë u vra nga bashkëshorti i saj, Hamide Magashi, një grua 35 vjeçe nga Lipjani. Ajo ishte në muajin e fundit të shtatëzanisë dhe ishte e shtrirë në pritje për të lindur foshnjën e saj.
Bashkëshorti i saj, tentoi të fshihej nga policia, por në fund vrau veten. Vrasja nxiti protesta të grupeve që mbrojnë të drejtat e njeriut.
Veriu ishte më i tensionuari gjatë muajit të fundit të vitit. Institucionet e Kosovës vendosën që të mbanin zgjedhje në komunat veriore Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Më 6 dhjetor u sulmuan zyrat e KQZ-së në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok. Si i dyshuar për organizimin e këtij sulmi u arrestua ish-polici i Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Arrestimi i tij nxiti grupe të serbëve që të vendosnin barrikada në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Pas vendosjes së barrikadave Serbia u bë shumë aktive duke rreshtuar ushtrinë në vijën kufitare me Kosovën, përkatësisht në Rashkë të Serbisë. Serbia i bëri kërkesë KFOR-it që të sillte 1.000 ushtarë në Kosovë duke pretenduar se ka të drejtë ta bëjë një gjë të tillë.
Por, kjo kërkesë u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat thanë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhte. I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, konfirmoi se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.
Më 29 dhjetor, pas 20 ditësh barrikada, u liruan rrugët në veri të Kosovës. Kjo pasoi zëvendësimin e masës së paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak për ish-policin Dejan Pantiq, dhe vetëm pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takoi serbët e pjesës veriore në Rashkë të Serbisë.
Serbia tha se mori garanci të fuqishme nga komuniteti ndërkombëtar në këmbim të largimit të barrikadave, porse nuk shpjegoi se cilat ishin ato. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ironizoi kur tha: “Vetë i vendosën, vetë i larguan”./ REL