Vetëm presioni i huaj, ose ndoshta vetëm fati, çoi në shmangien e një përshkallëzimi më serioz të situatës në Kosovë vitin e kaluar. Dhe a do të jetë viti 2023 një pikë kthese?

Viti i kaluar u shpall si një pikë kthese dhe me momente dramatike, por në fund u mbyll si një vit relativisht i qetë. Kjo, natyrisht, nuk do të thotë se nuk ka pasur paralajmërime dhe veprime dramatike, ngritje të gatishmërisë luftarake, dhe momente që mund të cilësohen si incidente të rënda, sidomos në Kosovë, por të paktën tani për tani gjërat janë nën kontroll.

Duke qenë se viti 2022 ishte edhe vit elektoral, pritej që kjo të shkaktonte tensione shtesë, pasi pati paralajmërime që të nesërmen e zgjedhjeve do të vinin protesta, por gjithsesi e gjithë fushata parazgjedhore, si dhe periudha paszgjedhore kaloi pa shumë probleme.

Fillimi i konfliktit në Ukrainë përkoi me fushatën zgjedhore dhe serioziteti i asaj tragjedie u reflektua edhe në sjelljen e pjesëmarrësve në jetën politike në Serbi. Kjo ndikoi ndjeshëm në dinamikën dhe nivelin e tensioneve politike në Serbi.
Ky fakt e bëri edhe më të lehtë për pushtetin në Serbi vazhdimin e sundimit autoritar, sepse opozita u pozicionua si një aktor politik që nuk dëshiron të bëjë shumë valë në një kohë kur kreu i shtetit është nën presion të madh të huaj. Një pjesë e opozitës, pa dyshim, ka ushtruar presion mbi autoritetet në lidhje me sanksionet ndaj Rusisë, por këto ishin paralajmërime të vakëta, të cilat nuk mund të ndikonin ndjeshëm në vendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Nga ana tjetër, veprimet provokuese të Prishtinës dhe Albin Kurtit u pritën me dënimin unanim të pushtetit dhe opozitës dhe kjo ishte tema që dominoi gjysmën e dytë të vitit. Vetëm presioni i huaj, ose ndoshta thjesht fati, çoi në shmangien e një përshkallëzimi më serioz të situatës në Kosovë.

Ashtu siç pritej, çështja e Kosovës nuk u zgjidh gjatë vitit 2022, por ndryshe nga vitet e mëparshme, këtë herë Perëndimi vepron dhe tingëllon i vendosur për të “përfunduar punën” në vitin 2023. Sa i rëndësishëm do të jetë në të vërtetë një vit, apo do të jetë një tjetër dështim?

Dushan Spasojeviç, nga Fakulteti i Shkencave Politike, deklaroi për DW në serbisht se “shumë herë në vitet e kaluara është dukur se ky problem ishte afër zgjidhjes, por se kjo nuk ka ndodhur. Megjithatë duket se tashmë jemi shumë më pranë zgjidhjes. Sigurisht, nuk e dimë nëse kjo do të ndodhë, por tani kemi disa struktura të jashtme që mendojnë se tani është një kohë e mirë për të ushtruar presion.

Por, nga ana tjetër, ne kemi dy liderë, Vuçiçin dhe Kurtin, të cilët janë mjaft kokëfortë dhe kanë disa kalkulime të tyre që nuk hyjnë në plane të jashtme. Këtu shoh pengesën më të madhe, nëse do të ketë një ofertë mjaft të mirë që do t’i kënaqë të dy liderët. Mendoj se ka disa kufizime. Për shembull nuk mund të pritet që Serbia të sanksionohet, pse nuk dëshiron të pranojë një marrëveshje me Kosovën që nuk i përshtatet. Prandaj është e mundur që zgjidhja e atij problemi të zgjatet”.

Përparimi i BE-së sanksione kundër Rusisë?

Sanksionet kundër Rusisë janë tema tjetër e madhe që pritet të zgjidhet vitin e ardhshëm. Tani për tani, autoritetet serbe refuzojnë kategorikisht të vendosin sanksione ndaj Rusisë, por presioni perëndimor po intensifikohet edhe në këtë fushë. Beogradi duket i prerë që këmbëngul në këtë, por në momente të caktuara kreu i shtetit duket se humbet kontrollin dhe deklaron se “Serbia nuk i detyrohet asgjë Rusisë në këtë drejtim, sepse Rusia nuk i kundërshtoi sanksionet ndaj Serbisë në vitet 1990”. Opinioni publik serb është me vendosmëri kundër një vendimi të tillë dhe tani për tani kjo është ndoshta e vetmja arsye që i pengon autoritetet serbe t’i bashkohen sanksioneve.

“Pika kyçe kur Serbia do të duhet të vendosë disa sanksione është nëse ka përparim në integrimet evropiane”, vlerëson Dushan Spasojeviç.

Aleksandar Vuçiç do të kishte vendosur sanksione shumë kohë më parë nëse nuk do të kishte frikë nga reagimi i qytetarëve dhe votuesve të tij, beson Dragomir Angjelkoviç, i cili thekson se “situata këtu është shumë më e qartë se sa me Kosovën./DW