Java e parë e janarit ka nisur nën dominimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike, duke bërë që orët e para të së hënë të sjellin dominim të kthjellimeve dhe vranësira të pakta në zonat malore.
Ndërsa pjesa e dytë e ditës do të sjellë vranësira edhe në ultësirën perëndimore. Megjithatë nuk pritet të kemi reshje, edhe pse në zonat malore do të kemi shtim të vranësirave.
Për sa u përket temperaturave të ajrit, do të mbeten të larta në fillim të janarit duke bërë që temperaturat minimale të luhaten në vlerat dy deri në tre gradë celsius, ndërsa temperaturat maksimale parashikohet që të arrijnë deri në 17 gradë celsius, vlera dy gradë më të larta nga temperaturat normale.
Parametri i erës nuk pritet të jetë problematik, pasi nuk do të jetë më shumë se 5 kilometra në orë.