Ditën e djeshme policia e Arezzos ka njoftuar për një ngjarje të rëndë që kishte ndodhur mbrëmjen e së enjtes në zonën e njohur të San Polos. Të dhënat e para të policisë kanë treguar se bëhet fjalë për një vrasje dhe viktima ishte një shtetas shqiptar i cili është qëlluar për vdekje nga një shtetas italian.
Policia ka mësuar ngjarjen pasi shqiptari është konstatuar i vdekur nga katër plagë të mëdha arme, konstatim që ka ardhur nga spitali i Sienës, ndërkohë që autori i sulmit mësohet se ka pritur në shtëpinë e tij, pikërisht në vendin ku edhe kishte ndodhur ngjarja.
Përgjatë së djeshmes policia ka refuzuar të japë informacion mbi identitetin e dy personave, ndërkohë që mediat lokale kanë shkuar në banesën e italianit duke sjellë pamje nga vendi i krimit. Policia dhe prokuroria lokale ende nuk kanë hehdur dritë mbi shkaqet reale, ndërkohë që shqiptari dhe italiani kanë qenë fqinj dhe miq.
Nuk dihet se si ka agravuar sherri mes tyre, por mësohet se po verifikohen kamerat e sigurisë, do të merren dëshmi mbi aktin e rëndë ndërkohë që autori i vrasjes është vënë në pranga.